AKTUALITET, 27 Korrik 2025, 09:50

Mediat italiane pasqyrojnë zjarret në jug të Shqipërisë: Situatë kritike në Borsh, evakuohen turistë dhe banorë

Mediat italiane pasqyrojnë zjarret në jug të
Borshi mbrëmë

Prej tre ditësh, Shqipëria po përballet me një situatë të rënduar nga zjarret që kanë përfshirë disa zona të vendit. Më kritike paraqitet situata në Borsh, një nga destinacionet turistike në jug të vendit, përgjatë bregdetit Jonian, raporton media italin TgCom24.

Flakët që shpërthyen mbrëmjen e djeshme janë përhapur me shpejtësi dhe janë afruar pranë banesave dhe hoteleve. Sipas njoftimit zyrtar nga Ministria e Mbrojtjes, gjatë mëngjesit të sotëm janë evakuuar 40 persona, përfshirë edhe turistë.

Në operacionin e shuarjes së flakëve janë angazhuar mbi 200 forca të mbrojtjes civile, zjarrfikës dhe efektivë të ushtrisë, të cilët po punojnë në kushte të vështira për të frenuar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.

Ndërkohë, situata në Kaninë, pranë qytetit të Vlorës, raportohet të jetë vënë nën kontroll. Në këtë zonë është arrestuar një barinj, i dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme.

Autoritetet mbeten në gatishmëri të lartë dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, veçanërisht në këto ditë me temperatura të larta dhe erëra të forta.