AKTUALITET, 5 Prill 2023, 20:02

Vendimet e Kushtetueses relatohen në Këshillin për Legjislacionin/ Nga reforma në drejtësi, te ajo zgjedhore dhe mandati i Xhaçkës, ja çfarë u diskutua

Vendimet e Kushtetueses relatohen në Këshillin për

Nën drejtimin e zëvendëskryetares së Kuvendit, Ermonela Felaj, u mblodh sot Këshilli për Legjislacionin, ku u relatuan nga deputetët Toni Gogu, Klotilda Bushka dhe Etilda Gjonaj, raportet për disa vendime të Gjykatës Kushtetuese.

Toni Gogu i propozoi Këshillit për Legjislacionin dërgimin e rekomandimeve për plotësimin e legjislacionit Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut me arsyetimin se pranë këtij komisioni është ngritur një grup pune me ekspertë dhe deputetë për rishikimin e disa dispozitave në ligjet e paketës së Reformës në Drejtësi, ku ndër të tjera dhe ligjin për Statusin e Gjyqtarëve e Prokurorëve.

Ky propozim u mbështet nga të gjithë anëtarët e Këshillit të Legjislacionit.

Pas relatimit nga deputetja Gjonaj, u vendos plotësimi i legjislacionit zgjedhor nga Komisioni i Posaçëm parlamentar “për realizimin e Reformës Zgjedhore”.

Lidhur me vendimin Nr. 1/2023 të Gjykatës Kushtetuese, deputetja Bushka u ndal në disa konstatime në pjesën arsyetuese të vendimit dhe propozoi marrjen e mendimit të ekspertëve konstitucionalistë.

Ky propozim u kundërshtua nga deputetët Gazment Bardhi dhe Dhurata Çupi, e cila theksoi se ky është vendim individual për çështjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

Pas diskutimeve, Këshilli për Legjislacionin me shumicën e anëtarëve vendosi të thërrasë ekspertë konstitucionalistë.