AKTUALITET, 5 Prill 2023, 16:14

300 vende vakante, mbahet testimi për Akademinë e Sigurisë. Çuçi: Kemi ulur moshën mesatare

300 vende vakante, mbahet testimi për Akademinë e Sigurisë.

U zhvillua sot testimi për Akademinë e Sigurisë. Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, publikoi pamjet nga salla teksa shkruan se 714 aplikantë konkurrojnë për 300 vende vakante në Policinë e Shtetit

“I gjithë procesi monitorohet nga kamerat dhe korrigjimi i testit do të bëhet me Scandron, në prezencë të vetë aplikantëve, për të garantuar transparencë maksimale”, thotë Çuçi.

Po ashtu Ministri i Brendshëm thekson se këto vite në Policinë e Shtetit janë afruar rreth 3 mijë të rinj duke ulur ndjeshëm moshën mesatare të efektivëve.

“Do ta ruajmë këtë trend dhe do të ecim me shpejtësi në këtë korsi për të arritur te mesatarja e vendeve të BE-së, si dhe do të vijojmë rrugën e pakthyeshme për të modernizuar më tej Policinë e Shtetit përmes investimeve në teknologji. Kapacitetet dhe profesionalizmi i punonjësve të Policisë do të barazohet me atë të partnerëve tanë europianë”, përfundon reagimin e tij ministri Çuçi.