AKTUALITET, 30 Prill 2022, 11:59

Kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia: Ky Kuvend i hap rrugën e fitores PD-së në zgjedhjet e ardhshme, na duhet vetëm…

Kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia: Ky Kuvend i hap rrugën e
Bardh Spahia- Kryetari i Bashkisë së Shkodrës

Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia duke folur në Kuvendin Kombëtar të PD tha se partia “është sot një trup i ringjallur nga ushtrimi i demokracisë direkte”.

E duke shtuar se “kjo ishte kura më e mirë për sëmundjen e rëndë të kryetarokracisë”.

“Ky është një Kuvend jo i zakonshëm. Ky është Kuvendi ku pushtetin e kanë anëtarët e jo kryetarët”, theksoi ai në nisje të fjalës së tij.

Duke folur për kohën kur në PD ishte Basha, Spahia tha se partia ishte “pa shtyllë të qendrueshme besimi e meritë, ku një njeri vendoste për gjithëkënd. Tani vota përcakton kush do drejtojë, kandidojë, kush merr përgjegjësi që nga kryetari. Ky Kuvend duhet të na shkëpusë nga modeli humbës 8 vjecar, se ne jemi demokratët që i besojmë votës e njerëzve tanë”.

“Më 6 mars Shkodra mbeti fortesa e vetme demokratike se respektuam votën e anëtarësisë, mundëm tu jepnim shpresë demokratëve se mund të ringriheshim e u ringritëm më të fortë. Fituam se ishim në anën e drejtë me shumicën absolute të qytetarëve të ndershëm, me kuotat më të larta të besimit, ne fituam se ia dolëm të rikthejmë besimin e humbur te PD dhe lidershipi i saj.

Kam bindjen e thellë që ky Kuvend i hap rrugën e fitores PD në zgjedhjet e ardhshme lokale, për ne është përgjegjësi historike të fitojmë Tiranën, Durrësin, Korcën, e gjithë qytetet e tjera.

Sot është më e mundur se kurrë, na duhet vetëm të punojmë me përkushtim e besimin e injektuar te demokratët ta rrënjosim te cdo votues, ta bëjmë PD partinë e shpresës të etur për ndryshim”, tha Spahia.