AKTUALITET, 12 Qershor 2024, 13:16

Dyshohet se i mori përmes mashtrimit 108 mijë euro 54-vjeçares, arrestohet punonjësi i bankës në Tiranë

Dyshohet se i mori përmes mashtrimit 108 mijë euro 54-vjeçares,

Arrestohet një 32-vjeçar në Tiranë. Mësohet se ndaj 32-vjeçarit Klevis Berberi, rëndojnë akuzat për veprat penale falsifikimi i vulave, mashtrimi dhe shpërdorimi i detyrës.

Bëhet me dije se Berberi përmes mashtrimit i ka marrë një 54-vjeçareje 108 mijë euro për blerjen e një prone duke falsifikuar deklaratën noteriale të bankës. Pas aktit noterial Berberi ka shitur pronën për llogari të një banke të nivelit të dytë.

"Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, finalizuan operacionin “Banker”.

Në kuadër të këtij operacioni u ndalua me iniciativë shtetasi K. B., 32 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Mashtrimi” me pasoja të rënda, dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

32-vjeçari, nëpërmjet mashtrimit, duke shpërdoruar detyrën, i ka marrë shumën prej 108 000 euro shtetases F. M., 54 vjeçe, duke falsifikuar deklaratën noteriale të bankës me qëllim përvetësimin e kësaj shume dhe të pronës që do të blihej nga ajo.

Pasi është nënshkruar akti noterial për blerjen e pronës, shtetasja F. M., duhet të ishte pronare e vetme e kësaj prone, ndërkohë që shtetasi K. B., ka shitur pronën që ka qenë e vendosur kolateral për llogari të një banke të nivelit të dytë.

Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme"-tha policia.