AKTUALITET, 12 Qershor 2024, 10:24

Humbi në malin e Jezercës, gjendet i pajetë turisti bullgar

Humbi në malin e Jezercës, gjendet i pajetë turisti bullgar

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka njoftuar se turisti i cili u shpall i humbur në malin e Jezercës është gjetur i pajetë.

Në një postim në rrjetet sociale, sqarohet se kërkimet për turistin u bënë nga toka dhe ajri, por në fund u gjet vetëm trupi i tij i pajetë.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bën thirrje për kujdes të shtuar në zonat me rrezikshmëri të lartë si dhe ndjekje me përpikmëri të udhëzimeve të guidave të specializuara.

Pas marrjes së njoftimit, të gjitha strukturat operacionale të Mbrojtjes Civile, në nivel vendor dhe qendror janë angazhuar menjëherë.
Helikopteri Cougar i Forcave të Armatosura është ngritur në ajër, duke marrë me vete ekipin mjekësor dhe ekipin e kërkim-shpëtimi malor. Kërkimet filluan nga ajri për të zbuluar ndonjë shenjë të personit të humbur. Në të njëjtën kohë, ekipi i kërkimit- shpëtimit malor u la në afërsi të vendit për të vazhduar kërkimet nga toka.
Përpjekjet intensive dhe koordinimi i i strukturave vazhduan për disa orë, derisa u arrit që të gjendet trupi i pajetë i personit në nevojë.
Kujdes! Në zonat me rrezikshmëri të lartë, dhe në shumë raste të pashkelura, është e rëndësishme që turistët të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin udhëzimet e dhëna nga guidat e specializuara. Siguria e tyre dhe e të tjerëve varet nga respektimi i këtyre udhëzimeve dhe informacioneve të rëndësishme për këto aktivitete sportive.