TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Durim Bami, i cili ra në pranga në Dubai dhe pritet të ekstradohet drejt vendit tonë u ka shpëtuar disa atentateve.
Një grup prej 16 vetash ishte mobilizuar për “kokën” e Durim Bamit, për llogari të ish deputetit Arben Ndoka, me financim të Ervis Martinajt.
Vrasjen e Durim dhe Valter Bamit, e kërkonte ish-deputeti i PS, Arben Ndoka, i cili kishte dyshime të forta se Bami kishte marrë pjesë në vrasjen e vëllait të deputetit, Aleksandër Ndoka në Lezhë.
Durim Bami i kishte kërkuar pajtim me Ndokën, por ai nuk e ka besuar, ndaj ka gjurmuar Durim Bamin për ta vrarë. Gjurmimi i Bamit është realizuar jo vetëm në zonën e Niklës por deri në Sarandë, ku ai ka pushuar.
Ndërsa për gjurmim grupi ka futur në lojë Manecin e thirur “Tërmeti”, Gentjan Bejtjan e vrarë 1 muaj më parë në serën me domate, Nazmi Stafukën, vëllain e Enver Stafukën. Në lojë është futur dhe Behar Bajri, i cili duke shfrytëzuar njohjen me Durim Bamin, i propozon Arben Ndokës që ta thërasë për vizitë në shtëpinë e tij në Shkodër dhe më pas aty ti grijnë të gjithë.Këtë plan e mbështet dhe Arben Ndoka, por në Shkodër nuk shkon Durim Bami dhe vrasja e tij dështon sërisht.
Për shkak të përpjekjeve të shumta për të vrarë Durim Bamin, SPAK ka ngritur akuzën e “Sigurimit të kushteve për të kryer vrasje” në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” ndaj ish-deputetit të PS Arben Ndoka, dhëndrit të tij Arian Tuku, nipit të tij Samuel Ndoka, Ervis Martinaj, Astrit Avdyli, nipit të tij Aldo Avdyli, Jozi Kraja, Elvis Ndreca, Naim Stafuka, Emiljano Shullazi, Blerim Abazi, Gjin Ndoj, Marklen Haka.
Evidentohen personat e interesuar për realizimin e vrasjes, financuesit, personat e angazhuar për lokalizimin e Durim dhe Valter Bami, vendi ku do strehohen ekzekutorët para vrasjes, vendi ku do të fshihen automjetet që do të përdorin ekzekutorët, personat që do të ndjekin gjithë lëvizjet dhe vendi ku do të kryhet ekzekutimi.
Më konkretisht Arben Ndoka ka pasur rolin e financuesit, porositësit për vrasjen e shtetasve Durim dhe Valter Bami duke kontraktuar shtetasit Gentian Bejtja, Naim Stafuka, Arben Mërkuri, Aldo Avdyli dhe lidhjet e tyre. Vrasja do të kryhej në shenjë hakmarrje për vrasjen e vëllait të tij, shtetasit Aleksandër Ndoka, e ndodhur më datë 9 dhjetot 2017.
Arian Tuku, dhëndëri i ish-deputetit të PS Arben Ndoka, ka pasur rolin e organizuesit, financuesit dhe koordinimit të të gjithë aktorëve të përfshirë në këtë ngjarje, me qëllim realizimin e vrasjes së shtetasve Durim dhe Valter Bami.
Samuel Ndoka, djali i Aleksandërit ka pasur rolin e organizuesit, koordinimit të aktorëve në terren, kantaktin me ekzekutorët, sigurimin e armëve me qëllim ekzekutimin e shtetasve Durim dhe Valter Bami. Vrasja do të kryhet në shenjë hakmarrje për vrasjen e babait të tij shtetasit Aleksandër Ndoka, e ndodhur më datë 09.12.2017.
Ervis Martinaj, ka pasur rolin e financuesit, sigurimit të logjistikës dhe informacioneve për lokalizimin e shtetasve Durim Bami dhe Valter Bami.
Jozi Kraja, në bashkëpunim me persona të tjerë ka pasur rolin e vëzhguesit, lokalizuesit dhe bashkëpunëtorit me qëllim vrasjen e shtetasve Durim dhe Valter Bami.
Astrit Avdyli, ka pasur rolin e siguruesit të personave që do të kryenin vrasjen e shtetasve Durim dhe Valter Bami. Astriti ka angazhuar Arben Mërkuri me pseudonimin “Tërmeti” dhe Aldo Avdyli me qëllim realizimin e vrasjes për llogari të ish-deputetit, Arben Ndoka.
Arben Mërkuri,ka ndërruar jetë në vitin 2022, ka pasur rolin e ekzekutorit të shtetasve Durim dhe Valter Bami për llogari të shtetasit, Arben Ndoka.
Aldo Avdyli, ka pasur dhe marrë përsipër rolin e ekzekutorit të Durim dhe Valter Bami për llogari të Arben Ndoka.
Grupet kriminale arritën deri aty sa të fusnin një “Helenë të Trojës”, një vajzë që të hynte në shoqëri me të dhe të shërbente si informatore, por edhe në këtë rast nuk ia dolën, pasi atentati nuk u krye.
Gentian Bejtja, ka ndërruar jetë në vitin 2024, ka pasur rolin e lokalizimit të Durim dhe Valter Bami, me qëllim vrasjen e tyre. Gjithashtu ky shtetas ka siguruar vendin ku fshihen automjetet që do të përdorin ekzekutorët dhe strehimin e tyre deri në momentin e kryerjes së vrasjes.
Naim Stafuka, në bashkëpunim me Gentian Bejtja, kanë pasur rolin e lokalizimit të Durim dhe Valter Bamit, me qëllim vrasjen e tyre për llogari të shtetasit Arben Ndoka. Gjithashtu ky shtetas ka siguruar vendin ku do të fshihen automjetet që do të përdorin ekzekutorët dhe strehimin e tyre deri në momentin e kryerjes së vrasjes.
Nga ana tjetër Emiljano Shullazi, nga ambjentet e paraburgimit 313 ka pasur rolin e sigurimit të informacioneve në lidhje me lokalizimin e Durim dhe Valter Bami dhe informimin e Arben Ndoka në lidhje me këto informacione.
Gjithashtu Blerim Abazi, ka pasur rolin e sigurimit të informacioneve në lidhje me lokalizimin e shtetasve Durim dhe Valter Bami.
Elvis Ndreca, në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar ka pasur rolin e vëzhguesit, lokalizuesit dhe bashkepunëtorit me qëllim vrasjen e Durim Bami.
Gjin Ndoj, në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar ka pasur rolin e lokalizuesit dhe bashkëpunëtorit me qëllim vrasjen e Durim dhe Valter Bami. Marklen Haka, ka pasur rolin e sigurimit të informacioneve për lokalizimin e Durim Bami me qëllim vrasjen e tij. Këta informacione Markleni i ndante me Emiljano Shullazi.
Në janar 2020 Emiljano Shullazi komunikon me Marklen Haka dhe nga tërësia e bisedës dyshohet që Markleni e informon në lidhje me lëvizjet e një personi (i dyshuar Durim Bami) me makinë të blinduar ose Range Rover.
Në 10 janar 2020, Emiljano Shullazi komunikon me Marklen Haka dhe nga tërësia e bisedës dyshohet që komunikojnë në lidhje me Valter Bami i cili ka lëvizur me një makinë tip Range Rover. Emiljano Shullazi shprehet një moment që: “…kape q… ropt mos ja zgjat, se jam k’tu dhe robt që janë jashtë me fol kuptohet dhe e kanë pak problem me ardh në Nikël dhe me mbaru punë. Po të jem vetë e mbarojm aty tek dera e shtëpisë. Ky legeni që është këtu në burg Rraja (Redjan Rraja) thotë që Duri, (Durim Bami) është më i fuqishmi aty, i bën reklamë”.
Më 11 janar 2020, Emiljano Shullazi komunikon me Marklen Haka dhe e pyet në lidhje me Zajën (Albert Zaja), një person me emrin “Skënder” dhe një person me emrin “Mero”.
Emiljano Shullazi i tregon që: “…në polici janë informacione sikur këto tre persona janë njerzit e tu. Në vazhdimësi i kërkon që,…”ngreje” pak këtë Zajën (Albert Zaja) se ju aty tek bilardo e keni kollaj dhe në darkë nuk kapin mirë kamerat. Dyshohet se kërkon të angazhojë Albert Zajën për të vrarë Durim Bami.
Më 14 janar 2020 Emiljano Shullazi, komunikon me Marklen Haka, ndër të tjera e pyet se çfarë thotë Tugu (dyshohet se i referohet shtetasit Flamur Haka alias Tuk Haka) dhe se në fillim duhet hequr Duri (Durim Bami).
Në 18 janar 2020 Emiljano Shullazi komunikon me Marklen Haka të cilit ndër të tjera jep porosi që mos t’ju ketë besë Durim dhe Valter Bami duke ju shprehur: “… Vallahi z’di gjo o Marglen, e ca s’bëjnë, po besë mos ki. Ulu pi kafe po shpinën mos ja u kthe…”.
Në 6 mars 2020, Emiljano Shullazi komunikon me Marklen Haka, të cilit i tregon që: “…Ai Duri (Durim Bami) ishte ka cuar haber atij Nokës (Arben Ndoka) që të nxjerr kë të duash përvec Valterit dhe më jep garanci që e mbyllim bashkë. Në vazhdimësi dyshohet që shtetasi Marklen Haka i jep informacion në lidhje me automjetet dhe lëvizjet që kryen Durim Bami pasi përmendin automjetin e blinduar.
Emiljano Shullazi i shkruan: “…si t’ja bëjmë ma e kap kurvën….ma e rrjep ma e torturu, ishalia ta mbysin fort. Se tani s’ka blind që e ruan…”.
Më 6 mars 2020 Emiljano Shullazi komunikon me Arben Ndoka dhe ndër të tjera i jep informacion në lidhje me lëvizjet që kryen Durim Bami me qëllim që Arbeni, të marrë masa për vrasjen e tij.
“…po më thon tani qe rrin aty tek Oxhaku shumë, dhe del edhe pa blind, tek lokal “Artisti” dhe më shumë se 20 minuta nuk rrin. Rrin me çunin e xhajës së vet, atë Kocin (Gentian Koci) dhe Ervin Kodra nga Tapiza. Është fol me nja dy veta dhe ishalla e bëjnë (e vrasin). Don terezi ai mut se del një ditë dhe rrin një javë pa dalë, shofim mos po i vjen ora. Unë jam tek cili variant të dali më para, vetëm të iki. Se do dalin të gjitha pastaj, kush ka dhënë dhe kush ka gjuajtur. I flet Valteri të gjitha pastaj sa ti thuash e ke radhën ti…”.
Për të mbaruar Durim Bamin, Shullazi flet me Marklen Hakën duke i thënë se ka folur dhe me Ilir Pajën, por ai nuk lëviz nga vendi e ka mendjen tek malli.
Siç del në këtë dosje ish-deputeti Arben Ndoka është i angazhuar me qëllim vrasjen e Durim Bami për shkak se dyshon si autori kryesor dhe organizator i vrasjes së vëllait të tij Aleksandër Ndoka ndodhur në Lezhë më 9 dhjetor 2017. Ai shprehet se është i interesuar të vrasë Durim Bamin dhe vëllain e tij Valter Bami, por edhe persona të tjerë nëse do jenë në prezencë të tyre.
Me qëllim realizimin e vrasjes Arben Ndoka bashkëpunon me lidhjet e tij familjare dhe shoqërore bashkëpunon më dhëndrin e tij (bashkëshortin e vajzës) Arian Tuku, i cili e mbështet duke i krijuar kontakte me persona që kryejnë vrasje, e ndihmon ekonomikisht dhe me informacione për lokalizimin e Durim Bamit.
Arjani gjithashtu ka kontaktuar me personin të cilin e përmend si “daja” të cilit i ka kërkuar që të kryejë vrasjen e Durim Bamit dhe ta bëjë me versionin “me ndërrim” ose me “pagesë”.
Gjithashtu Arian Tuku shprehet i gatshëm të transferojë para nga llogaria e tij bankare në Itali drejt një banke në Shqipëri me qëllim që t’i përdorë këto para për realizimin e vrasjes së Durim Bamit.
Arben Ndoka çdo organizim që bën për vrasjen e Durim Bamit e konsulton me Arian Tukun, ku i tregon të gjitha veprimet dhe komunikimet që ka kryer me persona të ndryshëm për realizimin e vrasjes.
Arben Ndoka, bashkëpunon me nipin e tij Samuel Ndoka me qëllim kontaktin me personat të cilët do të kryejnë lokalizimin, ndjekjen dhe vrasjen e Durim Bami. Samuel Ndoka me porosi të xhaxhait të tij Arben Ndoka mban kontakte me shtetasin Gentian Bejtja dhe Naim Stafuka, të cilët i kanë treguar vendet që frekuenton shtetasi Durim Bami, automjetet që përdor dhe oraret kur lëviz.
Samuel Ndoka gjithashtu mban kontakte me shtetasit Arben Mërkuri dhe Aldo Avdyli të cilët janë persona të kontraktuar për vrasjen e Durim Bamit, siç u pa edhe në rastin e datave 17-18 Gusht 2020 e në vazhdim të përshkruar më lart.
Arben Ndoka bashkëpunon me Ervis Martinaj me qëllim realizimin e vrasjes së Durim Bami. Ervis Martinaj ka pasur rolin e bashkë financuesit për kontraktimin e personave që do të angazhohen në realizimin e vrasjes.
Gjithashtu ky shtetas ka fumizuar shtetasin Arben Ndoka me informacione për lokalizimin e shtetasve Durim Bami, Valter Bami dhe Gentian Koçi. Ervis Martinaj ka siguruar automjetet për ndjekjen dhe vëzhgimin e shtetasit Durim Bami të përshkruar më lart në rastin e datës 17-18 gusht 2020.
Arben Ndoka bashkëpunon me Astrit Avdyli me qëllim realizimin e vrasjes së Durim Bami dhe marrjen peng të Valter Bamit. Astrit Avdyli i ka ofruar Arben Ndoka, nipin e tij Aldo Avdyli dhe lidhjen e tij Arben Mërkuri për mbështetje me qëllim vrasjen e Durim Bami.
Gjithashtu e ka furnizuar me logjistikë duke i siguruar maska plastike që do të përdorin personat që do të kryejnë vrasjen. Në periudhën e komunikimeve Astrit Avdyli, gjendet në ambientet e burgut dhe pavarësisht se ndodhet në një burg të sigurisë së lartë ai është në gjendje që të përdorë një telefon celular dhe aplikacion të enkriptuar siç është “SkyECC” dhe madje të bashkëpunojë në kryerjen e vrasjeve.
Arben Ndoka bashkëpunon me shtetasin Aldo Avdyli, me qëllim realizimin e vrasjes së shtetasit Durim Bami. Shtetasi Aldo Avdyli është instruktuar nga shtetasi Astrit Avdyli dhe është strehuar në ambientet e ofruara nga Arben Ndoka në qytetin e Lezhës ku ka pasur rolin e ekzekutorit të Durim Bami.
Siç përshkruhet edhe në rastin e datës 17-18 Gusht 2020 e në vazhdim ky person është angazhuar për të kryer vrasjen e Durim Bami në Shkozet kur ai të kthehej nga Saranda. Aldo Avdyli, ishte futur nga Mali i Zi në Shqipëri nga kufiri i gjelbër përmes ndihmës që I ka dhënë Arben Ndoka dhe Miri Bitri.
Arben Ndoka bashkëpunon me Arben Mërkuri, me qëllim realizimin e vrasjes së Durim Bami. Arben Mërkuri është instruktuar nga Astrit Avdyli për t’i dhënë ndihmë.
Ish-deputeti Ndoka, bashkëpunon me Jozi Kraja, me qëllim realizimin e vrasjes së Durim Bami. Jozi Kraja ka pasur rolin e lokalizuesit dhe vëzhguesit të Durim Bami dhe raportimit tek Arben Ndoka. Jozi Kraja i porositur nga Arben Ndoka ka udhëtuar drejt qytetit të Sarandës me qëllim konstatimin e Durim Bamit tek “Hotel King” dhe njoftimin e personave që do ta prisinin në Shkozet për realizimin e vrasjes.
Arben Ndoka bashkëpunon me Elvis Ndreca, me qëllim realizimin e vrasjes së Durim Bami. Elvis Ndreca ka pasur rolin e lokalizuesit dhe vëzhguesit të Durim Bami dhe raportimit tek shtetasi Arben Ndoka.
Gjithashtu Arben Ndoka bashkëpunon me Gentian Bejtja, me qëllim realizimin e vrasjes së Durim Bami. Gentian Bejtja është kontraktuar kundrejt pagesës nga Arben Ndoka dhe Ervis Martinaj me qëllim lokalizimin, vëzhgimin, strehimin e ekzekutorëve dhe automjeteve dhe dhënien ndihmë të ekzekutorëve për realizimin e vrasjes.
Ky person ka furnizuar me informacion të vazhdueshëm Arben Ndoka, Ervis Martinaj dhe Samuel Ndoka për vendndodhjen dhe lëvizjet e shtetasit Durim Bami, Valter Bami dhe Gentian Koçi.
Gjithashtu Gentian Bejtja ka strehuar në banesën e tij dhe Naim Stafuka personat dhe automjetet që do të përdoreshin për realizimin e vrasjes së Durim Bami. Ky shtetas ka kontaktuar me Samuel Ndoka, Arben Mërkuri dhe Aldo Avdyli dhe ju ka treguar vendet ku mund të konstatohet dhe që frekuenton, Durim Bami.
Arben Ndoka ka bashkëpunuar me Naim Stafuka, me qëllim realizimin e vrasjes së Durim Bami. Naim Stafuka është kontraktuar kundrejt pagesës nga Arben Ndoka dhe Ervis Martinaj me qëllim lokalizimin, vëzhgimin, strehimin e ekzekutorëve dhe automjeteve dhe dhënjen ndihmë të ekzekutorëve për realizimin e vrasjes.
Ky person ka furnizuar me informacion të vazhdueshëm Arben Ndoka për vendndodhjen dhe lëvizjet e Durim Bami. Naim Stafuka, ka strehuar në banesën e tij dhe të Gentian Bejtja personat dhe automjetet që do të përdoreshin për realizimin e vrasjes së Durim Bamit.
Gjithashtu, ka kontaktuar me Samuel Ndoka, Arben Mërkuri dhe Aldo Avdyli dhe ju ka treguar vendet ku mund të konstatohet dhe që frekuenton Durim Bami.
Arben Ndoka flet me Emiljano Shullazi, me qëllim realizimin e vrasjes së shtetasit Durim Bami. Shullazi, ndërkohë që ishte në ambientet e burgut ka komunikuar me shtetasin Arben Ndoka, duke e furnizuar me informacion për lëvizjet, vendet që frekuenton, rrugën që përshkruan, personat që e shoqërojnë dhe automjetet që përdor Durim Bami.
Emiljano Shullazi, ka shprehur vullnetin që do e ndihmojë Arben Ndoka me qëllim vrasjen e Durim Bami dhe se është në kontakt me një person që i jep informacione për vendndodhjet e tij, siç ilustrohet dhe në bisedat e kryera.
Në lidhje me këtë episod duket qartë bashkëpunimi i Emiljano Shullazi me Marklen Haka. Shullazi është i interesuar për realizimin e vrasjes së Durim Bami dhe për të arritur këtë qëllim ka angazhuar Marklen Haka. Shullazi është në kontakt me persona të interesuar për vrasjen e tij ndër ta edhe me shtetasin Arben Ndoka.
Marklen Haka duke shfrytëzuar njohjen me Durim Bami dhe Valter Bami siguron informacion në lidhje me automjetet që përdorin, vendet që frekuentojnë dhe personat që shoqërohen me Durim dhe Valter Bami. Këto informacion Marklen Haka i ndan me Emiljano Shullazi që ndodhej në burg, me qëllim që ai t’i ndaj këto informacione me personat që do të organizojnë vrasjen e shtetasit Durim Bami.
Gjithashtu Arben Ndoka, flet me Blerim Abazi, me qëllim realizimin e vrasjes së Bamit. Abazi e furnizon Arben Ndoka me informacion në lidhje me lokalizimin, vendet që frekuenton dhe personat që shoqërohet Durim Bami.
Në rastin kur ky i fundit ka qenë duke darkuar në një restorant në zonën e “Urës së Gjolës” e ka ruajtur dhe ka informuar shtetasin Arben Ndoka. Referuar verifikimeve të kryera në gjendjen civile, Blerim Abazi banon në Derven, Krujë zonë e cila është në afërsi të zonës që banon dhe frekuentohet nga shtetasi Durim Bami, për këtë fakt ka akses në informacion në lidhje me lëvizjet e tij.
Për të vrarë Bamin, Arben Ndoka flet me Gjin Ndoj. Ndoj i shpjegon Ndokës që në afërsi të Objektit, ka një vend me ferra dhe shkurre ku mund të fshihesh dhe të realizosh vrasjen. Gjithashtu i dërgon foto të automjeteve që Durim Bami përdor dhe i jep informacion për personat që e shoqërojnë.
Për të ekzekutuar Durim Bamin, ish-deputeti i PS Arben Ndoka flet me Behar Bajrin alias Brajoviç. Behar Brajoviq ka kontaktuar me Durim Bami dhe e ka ftuar në banesën e tij në Shkodër.
Mbas kësaj bisede që Behar Brajoviq ka kryer me Durim Bami ai ka kontaktuar Arben Ndoka dhe i ka treguar që: “…nëse vjen Durim Bami në Shkodër tek unë a je gati që t’i grijmë dhe Arben Ndoka është dakordësuar. Behar Brajoviq i shprehet gjithashtu që nëse ai (Durim Bami) shkon ta takojë është i vdekur në Shkodër…”. /Top Channel