AKTUALITET, 12 Qershor 2024, 10:35

Monika Kryemadhi paraqitet sërish në ambientet e Prokurorisë së Posaçme

Monika Kryemadhi paraqitet sërish në ambientet e Prokurorisë

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi është paraqitur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.

Kryemadhi ka mbërritur në SPAK mëngjesin e sotëm dhe ende nuk dihet arsyeja.

Kryemadhi, deputetja e Partisë së Lirisë ka vendosur të kundërshtojë në rrugë gjyqësore vendimet e SPAK për sekuestrimin e disa provave materiale.

Një muaj më parë Gjykata e Posaçme, shqyrtoi një ankim të bërë nga Monika Kryemadhi me objekt heqje sekuestro të një aparati celular të gjetur në shtëpinë e të ëmës, por vendosi të mos e pranojë atë.

Sipas burimeve, SPAK prej disa kohësh po kryen hetime pas një kallëzimi të marrë nga avokat Idajet Beqiri, për shpenzimet e kryera nga Monika Kryemadhi për disa ndërhyrje estetike jashtë vendit, pagesat e të cilave nuk janë deklaruar. Prokuroria e Posaçme po ashtu po heton rolin e ish-presidentit Ilir Meta, bashkëshortin e Monika Kryemadhit, për aferën CEZ-DIA si dhe për kontratat e lobimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.