AKTUALITET, 18 Prill 2023, 18:53

Grupi Alibeaj hap fushatën elektorale/ Roland Bejko: Sali Berisha, hiqi gishtat nga sytë e demokratëve! Nuk kursehem për PD-në

Grupi Alibeaj hap fushatën elektorale/ Roland Bejko: Sali Berisha, hiqi

Grupi Alibeaj, që sot mban vulën e Partisë Demokratike, ka hapur fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 14 majit, në pallatin e sportit "Fahrie Hoti", ku kishte një pjesëmarrje modeste. 

Në takim foli kandidati për Tiranën, Roland Bejko, i cili e quajti kandidimin e tij një përpjekje për të "shpëtuar fytyrën" e Partisë Demokratike, për të mos e lënë atë në duart e Sali Berishës dhe Ilir Metës. 

Më tej Bejko e quajti Berishën person që e ka izoluar e gjithë politika perëndimore dhe i bëri thirrje që "të mos pengojë PD-në në rrugën e demokratizimit", pra nga demokratizimi që po i bën çdo ditë grupi Alibeaj. 

"Këtë kandidim e kam pranuar me besimin tuaj. Është vendimi më i duhur dhe i drejtë që kam marrë në jetën time. Nuk u iki vështirësive, betejave dhe demokratëve.

Asnjëherë në jetën time 33 vjeçare brenda PD, nuk jam stepur në sfidat dhe vëshirësitë që ka kaluar ajo. Sa herë është dashur kontributi im nuk jam kursyer asnjëherë. Jam njëri prej jush demokratëve të thjeshtë, që vetëm kanë luftuar për PD-në dhe nuk kanë përfituar kurrë prej saj. Në këtë garë lipset kontributi i të gjithëve.

E shoh politikën si mision dhe jo si përfitim, jam idealist i pandreqshëm, siç më thotë një miku im. Dhe kështu do të jem gjithmonë, njëlloj si ju që jeni këtu sot.

Si mund të pranonim ne të gjithë, që demokratët në Tiranë të përfaqësoheshin nga një non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe, një i izoluar nga e gjithë politika perëndimore? Si mund të pranonim ne të përfaqësoheshim nga një socialist si Ilir Meta?

Kam një mesazh për ty Sali Berisha, hiqni dorë nga sulmet mbi Partinë Demokratiek. Hiqni dorë nga pengimi i PD në misionin e saj për të demokratizuar partinë dhe për ta çuar atë në Evropë. Sali Berisha hiqi gishtat nga sytë e demokratëve! Lëri demokratët të fitojnë, lëri shqiptarët të ndryshojnë dhe të largojnë këtë dyshe të keqe, Edi Rama dhe Erion Veliaj.

PD nuk është prona juaj, as personale dhe as klanore. Është kontributi i mijëra demokratëve, ku një pjesë prej tyre e kanë paguar me jetën dhe sakrificat e panumërta", tha ndër të tjera Bejko.