AKTUALITET, 6 Nëntor 2025, 23:04

“Goditi kastën e oligarkëve”, Ermir Gjinishi tregon pse fitoi Mamdani bashkinë e Nju Jorkut

“Goditi kastën e oligarkëve”, Ermir Gjinishi tregon pse

Pedagogu Ermir Gjinishi, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, duke komentuar fitoren e Zohran Mamdanit në bashkinë e Nju Jorkut, u shpreh se ai tronditi establishmentin politik, retorikën e Trump dhe oligarkinë në kryeqytetin e botës.   

“Unë mendoj që Mamdani e tronditi establishmentin politik. Më shumë se gjithçka, retorikën e presidentit Tramp, se po ta shikosh edhe fushatën dhe programin e tij pothuajse ishin një kundërvënie e gjithë retorikës.

Megjithatë, përsa i përket Mamdanit, ai është një djalë i ri, 34 vjeç. Me profesion ekonomist i angazhuar në jetën civile, në shoqërinë civile, një aktivist ka marrë pjesë në disa angazhime të mëdha civile.

Do isha pak kritik me mikun tonë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur e cilësoi thjesht si emigrant. Gjithë Amerika është vend i emigrantëve, Amerika është krijuar nga emigrantët. Nju Jorku është simboli i emigracionit në Amerikë.

39 për qind të banorët të Nju Jorkut janë të bardhë, 28 për qind janë hispanikë, 20 për qind janë afro-amerikanë.

Pjesa tjetër, 1.5 milionë hebrej, 7-9 për qind muslimanë. Që herët që para dy shekujsh në Europë, në në Nju Jork fliteshin 12 gjuhë të huaja. Domethënë, është simboli i multikulturalizmit dhe multietnicizmit.

Kështu që kjo ideja e fokusimit gjithë debateve, shiko se këtë po na bëjnë emigrantët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo nuk duhet të ekzistojë fare njëherë. Se Shtetetet e Bashkuara të Amerikës janë çerdhë emigrantësh, janë krijuar nga emigrantët dhe kanë ndërtuar emigrantët.

Ajo që bëri, Mamdani është që tronditi gjithë lobingjet. Tronditi median njëherë, sepse të gjithë mediat e nxirrnin humbës. Ju do thoni që edhe presidenti Tramp kështu e nxorrën. Nuk është aq e thjeshtë. Sepse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mediat janë parë gjithmonë si një deri para pak kohësh, si një, si një habitat ku liria gjen veten e saj. Kështu që ai goditi këtë lloj propagande.

Ai goditi kastën e oligarkëve. Ishin më shumë se 26 miliarderë, të cilët u aktivizuan financiarisht në fushatë. Hodhën miliona dhe miliona kundër këtij, ndërkaq ai aktivizoi, ose më mirë po themi, u mbështet vullnetarisht nga 90 mijë njerëz dhe e përmbysën.

Çështje shumë specifike që kishin ndikim në debatin e madh publik, referuar këtu dhe situatës ndërkombëtare, për shembull, kur u pyetën rivalët e tij.

Cilin vend do të vizitoni pasi të fitoni zgjedhjet? Që të gjithë patën një përgjigje, do vizitojmë Izraelin. Ndërsa Mamdani tha se do të vizitojë lagjet e varfra të Nju Jorkut. Mamdani solli një model tjetër, modelin e njeriut tek njerëzit.

Nju Jorku ka 1.5 milionë hebrej, është qyteti më i madh pas Izraelit domethënë që ka numrin më të madh të hebrejve dhe 40% e tyre e votuan këtë njeri"- tha Gjinishi.