AKTUALITET, 6 Nëntor 2025, 19:13

Ulërimat e Berishës kundër projektligjit të barazisë gjinore, reagon Marta Kos: Në linjë me BE! Mos sulmoni ambasadorin

Ulërimat e Berishës kundër projektligjit të barazisë

Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ka reaguar pas debateve në Kuvend për projektligjin për barazinë gjinore, ku Sali Berisha sulmoi ambasadorin e BE-së, Gonzato.

Berisha iu referua ligjit si një instrument që çon "qenien njerëzore në kafshëri" dhe përmendi orientimin seksual të ambasadorit të BE-së, Silvio Gonzato, që nuk ka asnjë lidhje me projektligjin në fjalë. 

Kos deklaron se barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë integrale e ligjit të BE-së.

Gjithashtu, ajo nënvizon se linjëzimi i legjislativit të vendit me këto parime të BE, është pjesë e procesit të pranimit të Shqipërisë në Union. Ajo bën thirrje që të mos sulmohet ambasadori i BE-së. 

"Barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë integrale e ligjit të BE-së. Përputhja me të është pjesë e procesit të pranimit në BE. Kjo nuk është një kërkesë private e Ambasadorit të
BE në Shqipëri. Çdo sulm ndaj tij është i papranueshëm",- thotë Kos.