TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Viktor Orban ka humbur thellë zgjedhjet në Hungari duke u rrëzuar nga pushteti pas 16 vitesh.
Humbja e Orbánit do të shihet si një goditje për aleatët e tij të afërt Vladimir Putin dhe Donald Trump.
Peter Magyar, një ish-aleat i Orbánit që u kthye në kritikun e tij më të ashpër, do të jetë kryeministri i ri i Hungraisë. Ai ka premtuar lidhje më të ngushta me BE-në dhe një agjendë kundër korrupsionit.
Liderët europianë kanë reaguar pas këtij "tërmeti" politik në Hungari.
“Në këtë mbrëmje, zemra e Evropës rreh më fort në Hungari", shkroi fillimisht shefja e KE, von der Leyen në X, pasi Viktor Orban pranoi humbjen e zgjedhjeve.
"Hungaria ka zgjedhur Evropën. Evropa gjithmonë e ka zgjedhur Hungarinë. Një vend po rimerr rrugën e tij evropiane. Bashkimi bëhet më i fortë", deklaroi ajo në një postim të dytë.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka uruar Magyar për fitoren.
"Sapo kam zhvilluar një bisedë me Péter Magyar për ta përgëzuar për fitoren e tij në Hungari! Franca përshëndet një fitore të pjesëmarrjes demokratike, të përkushtimit të popullit hungarez ndaj vlerave të Bashkimit Evropian dhe për Hungarinë në Evropë. Së bashku, le të çojmë përpara një Evropë më sovrane, për sigurinë e kontinentit tonë, konkurrueshmërinë tonë dhe demokracinë tonë", shkruan Macron.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka reaguar duke uruar Magyar. Ai shprehet se pret të bashkëpunojë me liderin e ri.
"Populli hungarez ka vendosur. Urimet e mia të sinqerta për suksesin tuaj elektoral, i dashur Péter Magyar. Me padurim pres të bashkëpunoj me ju. Le të bashkojmë forcat për një Evropë të fortë, të sigurt dhe, mbi të gjitha, të bashkuar. Gratulálok, kedves Magyar Péter!", shkruan Merz.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, shkruan se ky është një moment historik për demokracinë europiane.
"Urime Péter Magyar për fitoren tuaj në zgjedhje. Ky është një moment historik, jo vetëm për Hungarinë, por për demokracinë evropiane. Pres me padurim të punoj me ju për sigurinë dhe prosperitetin e të dy vendeve tona", deklaron Starmer.
Liderët nordikë dhe baltikë kanë përgëzuar Tisza-n për fitoren historike.
Jonas Gahr Støre e ka quajtur atë “një rezultat me rëndësi të madhe për gjithë Evropën”, ndërsa Ulf Kristersson e ka cilësuar si “një fitore historike” që “shënon një kapitull të ri në historinë e Hungarisë.”
Presidenti dhe kryeministri i Lituanisë kanë dërguar gjithashtu urimet e tyre, ashtu si edhe kryeministri i Letonisë.
Po kështu ka reaguar edhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic.
"Sapo kam biseduar në telefon me Péter Magyar dhe e kam përgëzuar atë dhe TISZA-n për fitoren e tyre bindëse në zgjedhjet në Hungari. Me një mandat të qartë nga votuesit hungarezë, i urova atij formimin sa më të shpejtë dhe të suksesshëm të qeverisë së re dhe çdo sukses në punën e tij", shkruan ai.