TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Është finalizuar në Fier operacioni ‘Bypass’. Uniformat blu bëjnë me dije se në kuadër të këtij operacioni është arrestuar 38-vjeçari Florjan Shurdhi.
Sipas policisë i riu qarkullonte me armë dhe lëndë narkotike në automjet, ndërsa kishte precedent të mëparshëm për veprën penale ‘Vrasja e punonjësit të policisë’, mbetur në tentativë, dhe veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Statusi:
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Bypass”, për kapjen e një personi me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Qarkullonte me lëndë narkotike dhe armë të ftohtë, në automjet, vihet në pranga 38-vjeçari, me precedent të mëparshëm për veprën penale “Vrasja e punonjësit të Policisë”, mbetur në tentativë, dhe veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Sekuestrohen lëndë të dyshuara narkotike kokainë dhe kanabis, fara kanabisi dhe 1 armë e ftohtë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë policore, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” në DVP Fier dhe Komisariatin e Policisë Fier, finalizuan operacionin policor të koduar “Bypass”.
Gjatë operacionit, në Bypass-in e Fierit, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi F. Sh., 38 vjeç, banues në Lazarat, Gjirokastër, me precedent të mëparshëm për veprat penale “Vrasja e punonjësit të Policisë”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, “Armëmbajtja pa leje”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Vjedhja” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Gjatë kontrollit në automjetin që drejtonte ky shtetas dhe kontrollit të banesës së tij, u gjetën dhe u sekuestruan doza me lëndë narkotike kokainë, doza me kanabis, fara kanabisi, si dhe 1 thikë, e cila u sekuestrua në cilësinë e armës së ftohtë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.