AKTUALITET, 20 Korrik 2025, 13:13

U akuzua se urdhëroi vrasjen e 61-vjeçarit për 10 mijë euro, lirohet nga burgu Marjeta Karaj

U akuzua se urdhëroi vrasjen e 61-vjeçarit për 10 mijë
Karaj dhe Kurt Deda

Gjykata liroi nga burgu Marjeta Karajn nën akuzë për vrasjen e Menduh Kurt Dedës. Lirimi i gruas u urdhërua mbasi gjykata e Apelit në muajin qershor prishi vendimin ndaj saj dhe caktoi Gjykatën e Tiranës që të rishqyrtojë dosjen hetimore për masakrimin e të moshuarit Menduh Kurt Deda, i cili tetë vjet më parë u rrëmbye, u dhunua barbarisht në një lagje të kryeqytetit e më pas u dogj me benzinë në zonën e Dajtit.

Apeli zhbëri dënimin prej 22 vitesh burgim për të pandehurit ku nën akuzë është gruaja, djali i saj në kërkim dhe Gazmend Ngota.

Dëshmia e tij vendosi në pranga Marjeta Karajn, 56-vjeçare, e cila akuzohej për organizimin e vrasjes së Menduh Kurt-dedës. Ngota rrëfeu me detaje organizimin e vrasjes. Sipas tij, ai ka mësuar për borxhin përmes shokut të tij, Besmir Karajt. Në momentin kur Kurt-Deda është rrëmbyer ai ka qenë me Besmirin. Ata e kanë çuar në Allias dhe më pas e kanë vrarë në Dajt. 

“Besmiri më vuri në dijeni për borxhin që Kurt-Deda i kishte Marjetës. Isha prezent që nga momenti kur e morëm me makinë në zonën e Xhamllikut. E çuam në Allias në një parking pranë shtëpisë së Besmirit. Aty erdhi dhe Marjeta. Pasi i kërkuam borxhin, ai e mohoi. Besmiri e rrahu dhe ai kërkoi kohë. Marjeta na porositi ta çonim në Dajt. Aty e lidhëm dhe e dogjëm. E bëra për shoqëri, nuk kam marrë para”,-deklaronte Ngota. 

Vrasja u zbardh në dhjetor 2022, 5 vite pas ngjarjes së majit 2017, kur 61-vjeçari u zhduk. Menduh Kurt-Deda sipas policisë së Shtetit u vra nga Besmir Karaj dhe shoku i tij, nën orientimin dhe udhëzimin e nënës së tij, Marjeta Karajt. Marjeta dhe Menduhu dyshohet se kishin patur një lidhje intime, përgjatë të cilës, ajo i kishte dhënë 1 milionë lekë të reja për hapjen e një shoqate, para që burri nuk ia kishte kthyer. Moskthimi i borxhit përfundoi me një krim makabër ku Kurt-Deda u lidh dhe u dogj përsëgjalli.