TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Tre persona janë ekstraduar drejt Shqipërisë nga Zvicra dhe Italia, ndërsa ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar. Sipas një njoftimi zyrtar nga Policia e Shtetit, 2 shtetas të dënuar/akuzuar për vepra penale në fushën e krimeve kundër pasurisë dhe pronës, janë ekstraduar nga Italia, ndërsa nga Zvicra u ekstradua 1 shtetas i akuzuar si pjesëtar i një grupi kriminal që falsifikonte dokumente.
“Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, u ekstraduan nga Italia në Shqipëri, shtetasit:
-S. C. alias A. D. alias S. C., 50 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Shtetasi italian S. C., gjatë periudhës dhjetor 2019 – mars 2020, në bashkëpunim me 2 shtetas shqiptarë, kanë krijuar një skemë mashtruese të shoqërive fiktive, për qarkullimin e shumave monetare në lidhje me rimbursimin e TVSH-së.
-Enea Korreshi, 31 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Apelit Vlorë, e ka dënuar me 2 vjet burgim, për veprën penale “Vjedhja”, pasi në bashkëpunim me një shtetas tjetër, ka vjedhur pjesë këmbimi të automjeteve në një subjekt në Lushnjë”, njoftoi Policia.
Në vijim, Policia e Shtetit njoftoi se si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Bern, Zvicër, u ekstradua drejt Shqipërisë, shtetasi Xh. K., 39 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi kriminal”.
Shtetasi Xh. K., në bashkëpunim me shtetas të tjerë, në kuadër të grupit kriminal, kanë prodhuar dokumente identifikimi të falsifikuara, kryesisht për shtete të BE-së, për shtetas që synonin të udhëtonin drejt Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë dhe vendeve të BE-së.", sqaro policia.