AKTUALITET, 5 Prill 2023, 20:48

“Do të hetojmë krimet zgjedhore”, Çela: Në rrethe, do të ngrihen struktura të posaçme për 14 Majin

“Do të hetojmë krimet zgjedhore”, Çela: Në

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela nëpërmjet një qarkoreje ka ngritur strukturën e përkohshme në prokuroritë e rretheve për zgjedhjet vendore të 14 majit. Çela kërkon nga drejtuesit e prokurorive të rretheve, të marrin masa për organizimin dhe gatishmërinë duke nisur nga data 14 prill, që sipas ligjit fillon fushata zgjedhore e deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve nga Komisioni qendror i Zgjedhjeve.

Çela ka kërkuar që prokurorët të vlerësojnë me prioritet , çdo referim ose kallëzim për veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik ose të çdo vepre tjetër që dëmton procesin zgjedhor. Kryeprokurori ka kërkuar rritjen e intensitetit të hetimeve proaktive dhe ashpërsimin masave të sigurisë apo dënimeve që do të kërkohen për veprat penale në fushën e zgjedhjeve.

Sipas Çelës kohët e fundit këto vepra penale janë mjaft të përhapura dhe me tendencë në rritje në shkallë vendi. Për zbatimin e masave administrative dhe procedurale për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, Çela ka caktuar 3 vartës të tij që duhet të bashkëpunojnë ngushtë me drejtuesit e prokurorive.