AKTUALITET, 11 Maj 2025, 13:12

Berisha thirrje shqiptarëve të votojnë: Duhet t'i gjendeni kombit në këtë moment që ka nevojë!

Berisha thirrje shqiptarëve të votojnë: Duhet t'i gjendeni

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë në një konferencë për shtyp, ku u ka bërë thirrje qytetarëve të votojnë masivisht. 

"Detyrim madhor ndaj familjes, vetes, shoqërisë dhe kombit. Falenderim i veçantë dhe mirënjohje e pakufijshme, për ata mijëra shqiptarë, që nuk u regjistruan dot për shkak të burokracive dhe frikës së qeverisë ndaj votës së tyre, por kanë vërshuar nga ajri, nga toka dhe nga deti dhe janë dyndur sot të votojnë dhe po votojnë në Shqipëri. Mirënjohja ime është e pakufijshme ndaj tyre. Ata me votën e tyre u gjenden vendit dhe kombit në një moment, në të cilin kanë nevojë të madhe. 

Së fundmi, thirrja ime është për çdo shqiptar, voto, voto, voto! Për veten tëndë, fëmijët e tu, të ardhmen tënde dhe të fëmijëve të tu, për biznesin, rrogat, pensionet, fermën… Është votim më shumë se kurrë për interesat e çdo qytetari.

Çdo gjë ka një vëzhgim ndërkombëtar shumë serioz dhe vëzhgim kombëtar po kaq serioz dhe secili që merr përsipër të shkelë ligjin në këtë proces, do të bëhet përgjegjës në mënyrë absolute. Sot sovrani, jep një verdikt historik", tha ndër të tjera Berisha.