AKTUALITET, 13 Maj 2023, 18:25

Arrestimi i Belerit për blerje votash/ “Akt stalinist”, Berisha: Si urdhëroi Rama mbajtjen në burg të kandidatit të “BF” për interesat e tij mafioze

Arrestimi i Belerit për blerje votash/ “Akt stalinist”,

Ish-kryeministri Sali Berisha iu është bashkuar reagimeve për lënien në burg të kandidatit të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për bashkinë e Himarës, Fredi Beleri. Ky i fundit u arrestua nën akuzën për blerje të votave.

Në një mesazh në ‘Facebook’ Berisha theksoi se pas këtij akti fshihet Rama. Berisha vijoi duke u bërë thirrje banorëve të Himarës që të dalin të gjithë në votime dhe të votojnë për mbrojtjen e pronave të tyre nga Edi Rama dhe banda e tij në bashkinë e Himarës.

“Akt stalinist i Edi Ramës.

Ai, për interesa të tij mafioze, urdhëron mbajtjen në burg të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” të rrëmbyer në mesnatë nga narkopolicia, Fredi Bejleri për të siguruar kështu vazhdimin e kontrollit të tij mafioz, të plotë mbi trojet dhe tokat e banorëve të Himarës.

Duke dënuar me forcën më të madhe këtë akt të shëmtuar policesk, ju bëj thirrje banorëve të Bashkisë Himarë, të dalin të gjithë në votime dhe të votojnë për mbrojtjen e pronave të tyre nga Edi Rama dhe banda e tij në bashkinë e Himarës. Sb”, shkruan Berisha.