AKTUALITET, 13 Maj 2023, 16:44

Burgosja e Fredi Belerit/ Ministrja Xhaçka i përgjigjet Athinës: U kap në aktivitet kriminal, ka prova të forta. Miqtë tanë grekë të përmbahen! 

Burgosja e Fredi Belerit/ Ministrja Xhaçka i përgjigjet

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka reaguar pas deklaratave nga ministria e Jashtme greke në lidhje me vendimin e Gjykatës për të lënë në burg kandidatin e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’, Fredi Beleri për Himarën

Xhaçka në ‘Twitter’ shkruan se është e pamundur të kuptohet që aleatët e Shqipërisë, në këtë rast Greqia të kundërshtojë vendimet e gjykatës në vendin tonë edhe pse provat kanë treguar se Beleri është arrestuar për blerje votash.

"Është thuajse e pamundur të kuptohet se si miqtë tanë grekë kanë të drejtë të kundërshtojnë një vendim gjykate në vendin tonë, kur provat e forta që ata kërkonin nuk mund të ishin më të forta?! Fredi Beleri është kapur duke u përfshirë në aktivitet kriminal kundër zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Nuk e kuptojmë se si të qenit me kombësi greke e përjashton atë nga ligji si shtetas i Shqipërisë. Ne u bëjmë thirrje miqve tanë grekë të përmbahen nga deklaratat që nuk respektojnë institucionet e pavarura të vendit tonë", shkruan ajo.