AKTUALITET, 13 Maj 2023, 18:14

“Gjithçka gati për nesër”, kreu i KQZ komenton arrestimin e Belerit: Mbetet në garë, gjërat ndryshojnë vetëm nëse dënohet

“Gjithçka gati për nesër”, kreu i KQZ komenton

Kur kanë ngelur pak orë nga zgjedhjet lokale të 14 majit, kryekomisioneri i KQZ-së Ilirjan Celibashi  deklaroi se gjithçka është gati për mbarëvajtjen e procesit. Ai pohoi se ka pasur disa problematika me Komisionet e Qendrave të Votimit në rastet kur nuk janë tërhequr të plota dokumentacionet.

Ai komentoi më tej edhe arrestimin e kandidatit të opozitës në Himarë, Fredi Beleri, duke thënë se nga pikëpamja e ligjit ai mbetet kandidat dhe do mund të votohet ditën e nesërme. Celibashi shtoi se gjërat mund të ndryshojnë në lidhje me kandidimin e tij vetëm nëse ai dënohet me një vendim të formës së prerë për një vepër penale që nuk lejon kandidimin nga ligji i dekriminalizimit.

“Arrestimi i Belerit nuk është aspak një gjë që shkon për mirë. Nuk kam koment pasi kjo lidhet me organet e drejtësisë, por nga pikëpamjet e ligjit ai mbetet kandidat dhe votuesit mund ta votojnë nëse duan. Ai nuk është i ndaluar nga gara edhe pse nuk është fizikisht aty. Gjërat ndryshojnë vetëm nëse ai dënohet me vendim të formës së prerë për një vepër penale që nuk lejohet të kandidosh nga ligji i dekriminalizimit.”, tha ai.