AKTUALITET, 13 Maj 2023, 18:05

U denoncua se po iu bënte presion qytetarëve për fushatën zgjedhore, pezullohet efektivi i policisë në Konispol

U denoncua se po iu bënte presion qytetarëve për fushatën

Pas disa fotove që qarkulluan në rrjetet sociale, të një automjeti të një efektivi, në zonën e Konispolit ku pretendohej se ai po iu bënte presion qytetarëve, vjen reagimi nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë.

Burime zyrtare bënë me dije se inspektori me inicialet A.Ç., me detyrë Ndihmësspecialist (SPZ) në Postën e Policisë Konispol  është pezulluar nga detyra, ndërkohë që ndaj tij ka nisur një hetim disiplinor.

Njoftimi i Policisë:

Në lidhje me një foto të publikuar në një portal, ditën e sotme, në të cilën shfaqet automjeti i një punonjësi policie, në zonën e Konispolit dhe pretendohet se ky punonjës ndodhej aty, për t’u bërë presion qytetarëve, në lidhje me fushatën zgjedhore, ju sqarojmë se:

Menjëherë pas publikimit të këtij rasti, është pezulluar nga detyra, deri në verifikimin dhe provimin e plotë të rrethanave të këtij rasti, inspektor A. Ç, me detyrë Ndihmësspecialist (SPZ) në Postën e Policisë Konispol. Gjithashtu, ndaj këtij punonjësi, ka nisur hetimi disiplinor. Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.