TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Nesër shqiptarët do të votojnë për kryetarët e rinj të 61 bashkive. Në lidhje me këtë proces ka reaguar nënkomisionerja e KQZ, Lealba Pelinku, e cila njoftoi se të gjithë operatorët e caktuar për zgjedhjet lokale duhet të paraqiten në qendrat e votimit në orën 06:00.
Ajo gjithashtu paralajmëroi se mosparaqitja e operatorëve do t’i ngarkojë ata me përgjegjësi ligjore nga Komisioni Zgjedhor i Zgjedhjeve. “Ky sistem që i ka kushtuar buxhetit të shtetit 23 milionë USD ka për qëllim rritjen e standardeve në zgjedhje, duke përjashtuar rastet e votimit të shumëfishtë të një zgjedhësi në më shumë se një qendër votimi, si dhe ndjekjen penale të tyre”, tha Pelinku.
Ajo tha se, në zgjedhjet e kaluara ky sistem e ka përmbushur misionin e tij, duke evidentuar rastet që përbënin krim zgjedhor dhe rrjedhimisht KQZ i ka referuar të gjitha këto raste në Prokurori. “Lidhur me zgjedhjet vendore që mbahen nesër, u bëj thirrje se çdo veprim që synon të pamundësojë funksionimin e sistemit të identifikimit elektronik, qoftë edhe në një qendër të vetme të votimit nuk do të tolerohet nga KQZ”, u shpreh Pelinku. Ajo theksoi se KQZ ka mundësinë të identifikojë çdo veprim dhe akte të tilla do të marrin përgjigjen ligjore që parashikon legjislacioni.
“I bëj thirrje operatorëve teknikë, të cilët me nënshkrimin e kontratës, janë subjekt i marrëdhënieve ligjore me KQZ. Ata kanë detyrim ligjor të respektojnë angazhimin e marrë përsipër nga vetë ata. Kjo i detyron ata të paraqiteten në qendrën e votimit deri në përfundimin e votimit. Operatorët teknikë duhet të paraqiten në qendrën e votimit në orën 6:00 dhe mosparaqitja i ngarkon ata me përgjegjësi ligjore”, deklaroi Pelinku. Ajo tha se, “kemi pasur 501 qendra votimi që ka pasur operatorë dhe është lidhur kontrata, diferenca nuk ka qenë e mbuluar”.
“Është e vërtetë ka pasur raste të tërheqjes nga operatorët, por afati i tyre ka skaduar dhe çfarëdolloj tërheqjeje është kosto e madhe për KQZ që është angazhuar për trajnimin e tyre. Kjo ishte dhe arsyeja e këtij mesazhi për të shmangur akte të papërgjegjshme, ne e kemi mundësi të hetojmë deri në fund rastin e tyre lidhur me tërheqjen. Në rast defekti, KQZ duhet të presë deri në 3 orë rregullimin e defektit, dhe në rastin e mosparaqitjes së operatorit ne kemi njoftuar të gjithë KQZ-të për operatorët. KQZ-të e dinë se cili është operatori, aty ku ka mungesë do vijojë me identifikimin tradicional. Ka pasur një numër të lartë problemesh, në Vlorë dhe Gjirokastër më së shumti”, deklaroi ajo.