AKTUALITET, 10 Dhjetor 2023, 20:12

Viktima edhe të dhunës online! 41 % e grave shqiptare kanë përjetuar formë dhune në internet

Viktima edhe të dhunës online! 41 % e grave shqiptare kanë

Ofendime nga më të rëndat e më të çuditshmet lexon në rrjete sociale.

Dhuna online përmes pajisjeve teknologjike është vazhdimësi e dhunës fizike që dëmton gratë. Një studim rajonal i kombeve të bashkuara për barazi gjinore tregon se 41% e grave shqiptare aktive në internet kanë përjetuar gjatë jetës së tyre një nga format e dhunës përmes teknologjisë, kryesisht e bërë nga të panjohurit; por janë raportuar raste edhe të dhunës nga partneri, ish partneri apo anëtarë të tjerë të familjes dhe eprorë apo kolegë në punë.

Pjesëmarrja e mbi 12 mijë vajzave në studim në 13 shtete të Europës Lindore dhe Azisë Qendrore nxjerrin në pah se probabiliteti për të përjetuar anën e errët të teknologjisë është 4 herë më i lartë për moshën 18-24 vjeç sesa për ato mbi 65 vjeç. Rreziku është më i lartë për t’u ekspozuar ndaj dhunës për gratë që kalojnë më shumë kohë në internet. Gjithashtu edhe për ato që kanë  një profil publik në platformat virtuale. Numri më i madh i ndjekësve online shton edhe dhunën. Nga një vëzhgim i kryer në rrjete sociale vihet re se komentuesit nuk dhunojnë vetëm personazhet publikë por edhe fansat e tyre duke u përfshirë në sharje me njëri tjetrin.

Mirëpo, në një krahasim në Ballkanin Perëndimor, arrihet në përfundimin se Shqipëria ka më pak dhunë online, pasuar nga Kosova me 43.3%. Ndërsa Maqedonia e Veriut mban vendin e parë për përjetimin e dhunës përmes teknologjisë me 62.8%, e Serbia shënon nivelin e 55.80%. Për gratë shqiptare instagrami është platforma më e dhunshme. 

Edhe Tik Tok- u edhe Facebook-u janë hapësirat më të shpeshta ku abuzohet me të drejtën e fjalës. Për të rritur sigurinë në internet, gratë e anketuara në studim tregojnë se pjesa më e madhe e tyre kanë gjetur zgjidhje duke ju bërë bllok dhunuesve virtualë dhe vetëm 7% e tyre e kanë denoncuar dhunën online në polici. Ndërkohë Ukraina po vuan më shumë poshtërimin në internet me rreth 77%, ndikuar edhe nga lufta. Por thuajse të gjitha shteteve ju mungon një strategji për të mposhtur dhunën online kundër grave, përjashto Kosovën dhe Serbinë.

Sa % e grave kanë përjetuar dhunë online një herë në jetë?

Maqedonia e Veriut– 62.8%

Serbia-55.8%

Bosnjë Hercegovina– 51%

Kosova–43.3%

Shqipëria– 41.1%./Top Channel