AKTUALITET, 10 Dhjetor 2023, 12:34

Të gjithë e duan në burg për inceneratorin, Erion Veliaj bën plane për Lojërat Olimpike Dimërore 2026

Të gjithë e duan në burg për inceneratorin, Erion Veliaj
Lara Colturi dhe Erion Veliaj

Me urdhër të SPAK, dje u ekzukutuan 15 urdhër-arreste, me të cilëve edhe dy drejtorë të bashkisë së Tiranës, që ishin pjesë e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për inceneratorin e Tiranës, i cili ekziston vetëm në letër, por ka marrë rreth 100 milionë euro financime nga buxheti i shtetit dhe pagesat e qytetarëve dhe bizneseve për mbetjet.

Përfaqësues të opozitës dhe të shoqërisë civile, thonë se kjo nuk ishte punë drejtorësh, por e vullnetit të qeverisë dhe të kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj, i cili firmosi edhe dokumentin për pranimin në parim të ndërtimit të inceneratorit, duke marrë kompetencat e këshillit bashkiak dhe duke detyruar me ligj bashkitë e qarkut që të sillnin mbetjet e tyre në landfillin e Sharrës.

E ndërsa të gjithë e duan në burg, madje deh klane brenda Rilindjes, Veliaj, veshur me trikon e shtrenjtë me motive festive të fundvitit, priti në zyrë skiatoren italiane që garon për Shqipërinë, Lara Colturi, duke i premtuar asaj mbështetje financiare dhe duke shpalosur plane për lojërat e vitit 2026, vitin e fundit të manadatit të tretë që ai ka në krye të bashkisë së Tiranës.

Njoftimi i Veliajt

Lara Colturi, skiatorja 17-vjeçare, e cila përfaqëson dhe garon për Shqipërinë, ka arritur një rezultat historik në botërorin e skive, duke u renditur në vendin e 12. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh krenar për rezultatin e saj dhe i shprehu mbështetjen në vazhdim, si pjesë e “Sport Klub Tirana”.

“Jemi shumë krenarë për ty! Tani ke edhe një ‘fan club’ me shqiptarë që të ndjekin kudo. Ndihem shumë mirë që sot je këtu me ne, për të rikonfirmuar besnikërinë ndaj flamurit shqiptar. Më bën të jem vërtet krenar. Shpresoj shumë që, teksa rritesh në këtë sport, të qëndrosh me këmbë në tokë, jo sepse e kërkon vetë sporti i skive, por e thjeshtë, e mbarë, bujare, sepse ke krijuar një model të një vajze që punon fort, që mëson fort, që është e përkushtuar, dhe pavarësisht famës ka mbetur një vajzë modeste dhe besnike ndaj kauzës që ne e quajmë ‘misioni Shqipëria’,” u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se Bashkia e Tiranës do ta mbështesë Larën edhe në vitet e ardhshme. “Ne si Bashki e Tiranës do të marrim një vendim për të qenë sponsor gjeneral i Larës. Duke qenë se është atlete e Klubit Sportiv Tirana duam që ta bëjmë këtë në afatgjatë; pra, të të japim mundësinë dhe komoditetin që të trajnohesh pa u shqetësuar për shpenzimet. Do të marrim një angazhim për tre vitet e ardhshme, duke qenë se Lojërat Olimpike dimërore janë në 2026-ën. Ne do ta mbështesim Larën për tre vite dhe përveç kësaj do të vazhdojmë të jemi tifozët e tu më të mëdhenj”, tha ai.