AKTUALITET, 27 Shkurt 2018, 12:28

Zyrtarë të Krimit Ekonomik thirren në Prokurori, në Apel, Xhika me dy të tjerët

Zyrtarë të Krimit Ekonomik thirren në Prokurori, në Apel,

Zyrtarë të Krimit Ekonomik të Policise së Shtetit janë thirrur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të dëshmuar në lidhje me analizën e dosjes së rrugës “Tiranë-Elbasan”.

Rreth dy javë me parë me urdhër të prokurorisë është arrestuar ish-drejtori i ARRSH, Dashamir Xhika, si dhe dy zyrtarë të tjerë.

Ndërkohë që në Apelin e Krimeve të Rënda ndodhet sot ish drejtori Xhika me dy zyrtarët për apelimin e masës së sigurisë.

Gjyqtarja Ilirjana Olldashi pranoi kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për masën e sigurisë “arrest me burg”, si për Xhikën, ashtu edhe për dy ish-drejtuesit e menaxhimit të projektit të rrugës Tiranë-Elbasan, Aksel Qurduka dhe Albens Alite.

Këta të tre akuzohen për “shpërdorim detyre” në lidhje me rrugën Tiranë-Elbasan, duke i shkaktuar një dëm prej 54 milionë dollarësh buxhetit të shtetit.

Xhika, ndërkohë, është duke u hetuar edhe në Elbasan, për aksin Elbasan-Gjinar, së bashku me ish-kreun tjetër të ARRSH-së, Andi Toma, dhe disa ish-zyrtarë të tjerë.

Në dosjen e Krimeve të Rënda po verifikohet edhe roli i ish-ministrit Haxhinasto në këtë skandal. Ky i fundit la detyrën vetëm pesë ditë përpara se KLSHja të konstatonte abuzimet e para me ndërtimin e rrugës, por ka mohuar përfshirjen e tij, duke thënë se është i hapur, qoftë edhe për hetime.

ABUZIMI

Dëmi për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan llogaritet 54 milionë dollarë nga një auditit i Ministrisë së Energjetikës, përfunduar në dhjetor të vitit të shkuar. Auditi erdhi pas shirave të furishëm të dhjetorit, që shkaktuan shembje dhe bllokim në një pjesë të mirë të aksit.

Në vijim të konkluzioneve të këtij auditi, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, dërgoi pranë Prokurorisë për Krime të Rënda kallëzimin penal në ngarkim të Dashamir Xhikës, si edhe dy punonjësve të tjerë. Procesi i auditit konstatoi efekte financiare me dëm ekonomik në vlerën 53,983,340 USD. Përveç kësaj, është konstatuar edhe një shkelje e disiplinës financiare në vlerën 16,117,926 dollarë me ndryshimin e kontratave.