TEJ E KETEJ, 29 Mars 2019, 21:54

Zbulohet telefonata e Ramës me Armando Dukën: Dua të jem trajner i Kombëtares!

Zbulohet telefonata e Ramës me Armando Dukën: Dua të jem trajner

Një telefonatë e papritur, ka mbërritur sot herët në mëngjes, pranë Anëtarit të Kryesisë së UEFA-s dhe Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, zotni Armando Dukës.

- Edi Rama jam, - ka thënë telefonuesi.

- Urdhëro zoti kryeministër, Mondi jam.

- Mondo, të mora për këtë punën e trajnerit të Kombëtares. Sikur ta merrja unë edhe këtë punë? Kam luajtur edhe vetë dikur. Me dorë kam luajtur, po punë e madhe, me topin jam marrë. Ç’bëri basketbolli, ç’bëri futbolli, njëlloj është. Top për top.

- Po mirë zoti kryeministër, mua dakord më ke. Ku ta prish dot unë ty. Edhe stadiumin e bëre si deshe, edhe kullën e stadiumit e ngrite sa deshe, tani bëhu edhe trajner dhe shpëtojmë njëherë e mirë me të gjitha. Fundja më i mirë se Panucci do jesh… Po një frikë e kam, kjo punë e qeverisjes që të ka rënë mbi kokë, mos nuk të lë kohë të merresh dhe me Kombëtaren?

- Mos u merakos Mondo se e kam një zgjidhje. Ti më jep emërimin dhe unë ia delegoj një tjetri. Ti e pe sa mirë i zgjidha punët e Ministrit të Jashtëm. Në fakt unë jam aty i emëruar, por kam deleguar atë fëmiun e Kosovës. Ke dëgjuar për të, është ai djali, Gent Cakaj i Baton Haxhiut.

- Po mirë, zoti kryeministër, - tha Duka, ke njeri aty në Rilindje ti, që të merret edhe me këtë punë?

- Kam, - ia ktheu Edi Rama, si s’kam, sa të duash kam, por Fate Velja, do të ishte ideal për këtë punë.

- Fatja, mos është ky i Vlorës, që bën edhe piktura zoti kryeministër?

- Ai është, ia ktheu Edi Rama, të jesh i sigurt se me Faten do fitosh mbi çdo kundërshtar, edhe sikur të bashkohet Gjermania me Francën bashkë, Fatja i mund. Kam parë një ndeshje me të dhe ai gëzohet si fëmijë pas çdo korne, sepse i di gola.

- Bah... Sa bukur! - ia ktheu Mond Duka, kështu shpëtoj edhe unë nga trajnerët e huaj. Zgjedhim Fate Velajn dhe e mbyllim këtë punë. Vetëm se edhe unë e kam një kusht, zoti kryeministër.

- Ç'kusht ? - pyeti Edi Rama.

- Formacionin për çdo ndeshje, do ta bëjë gjithmonë Nari, se ky ka bërë edhe formacionet e De Biazit edhe të Panuccit.

- Rregulloje vetë këtë punë, - përfundoi Edi Rama, në daç lër një javë Nar Kokën, një javë Fate Velajn. Kur të kualifikohemi në Botëror, do të ulem vetë në stol. Hajd mirupafshim.

/TPZ.al/ Tej e këtej/