AKTUALITET, 1 Nëntor 2018, 13:10

Zbulohet arsyeja pse Meta nuk firmos Sandër Lleshin si ministër të Brendshëm

Zbulohet arsyeja pse Meta nuk firmos Sandër Lleshin si ministër

Presidenti i Republikës duhet të shprehet me një dekret të veçantë për emërimin si ministër të Brendshëm të Sandër Lleshit. Ilir Meta e firmosi brenda pak orësh dekretin për shkarkimin e Fatmir Xhafajn, por për emrin e zëvendësit të tij duket e ka hasur në një ngërç.

Kushtetuta i jep Presidentit 7 ditë kohë për të bërë verifikimet e tij përsa i përket emërimeve për ministër që i vijnë nga kryeministri. Por pse vonoi kjo firmë e Ilir Metës për ministrin e ri të brendshëm?

I pari ishte Nard Ndoka, kryetar i PDK-së që tha se “stafi juridik i Presidentit ka gjetur probleme kushtetuese që e pengojnë dekretimin e tij”. Report Tv shkruan se ky ngërç lidhet me nenin 103 të kushtetutës ku thuhet se: “Ministri nuk mund të ushtrojë asnjë veprimtari tjetër shtetërore dhe as të jetë drejtues ose anëtar i organeve të shoqërisë civile. Ministri nuk mund të ushtrojë asnjë veprimtari tjetër përveç detyrës së tij si ministër” – thuhet në Kushtetutë.

Sipas të njëjtave burime presidenca i ka dërguar një kërkesë zyrtare Ministrisë së Mbrojtjes për të kuptuar se cili është statusi Sandër Lleshit në forcat e armatosura dhe nëse ai mban aty ende ndonjë detyrë shtetërore. Është pikërisht ky shkaku i hezitimit nga presidenti Meta për dekretimin e Sandër Lleshit.