TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Presidenti i Republikës duhet të shprehet me një dekret të veçantë për emërimin si ministër të Brendshëm të Sandër Lleshit. Ilir Meta e firmosi brenda pak orësh dekretin për shkarkimin e Fatmir Xhafajn, por për emrin e zëvendësit të tij është menduar pak më gjatë.
Kushtetuta i jep Presidentit 7 ditë kohë për të bërë verifikimet e tij përsa i përket emërimeve për ministër që i vijnë nga kryeministri. Ky afat përfundon ditën e premte. Votimi për Lleshin në Kuvend pritet të bëhet të enjten e ardhshme.
Por pse vonoi kjo firmë e Ilir Metës për ministrin e ri të brendshëm?
Nard Ndoka, kryetar i PDK-së thotë se këshilltarët i kanë raportuar kreut të shtetit një pengesë për emrin e ministrit të ri.
“Unë di që stafi juridik i Presidentit ka gjetur probleme kushtetuese që e pengojnë dekretimin e tij, po shihen me frymë përgjegjshmërie. Presidenti në parim ka qenë dakord, por dokumentet që ka në dispozicion…. Ka një problem që shpresojmë mos të jetë serioz. Nuk e di çfarë problemi, por edhe ta dija nuk do ta thosha” – tha Ndoka.
Zyrtarish nuk ka ende një qëndrim nga Presidenti se përse ai nuk po e firmos dekretimin ministrit të ri derisa ai është brenda afatit që i njeh Kushtetuta. Nëse presidenti nuk bie dakord me emrin e propozuar, ai mund t’i kërkojë kryeministrit që ta ndryshojë propozimin./Lapsi.al/