TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Mazhoranca ka miratuar vetëm me votat e saja dy anëtarët e rinj të PS-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla bëri prezantimin e dy kandidatëve, Bledar Skënderi dhe Rezarta Bitri më pas kërkoi votat e mazhorancës. Dy kandidatët e KQZ morën 74 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Sipas formulës së KQZ-së, nga shtatë anëtarë, katër kandidatë i takojnë PS-së. Me rikandidimin e Skënderit dhe propozimin për Bitrin, PS-ja bëhet me katër anëtarë në KQZ. Konkretisht: Bledar Skënderi, Rezarta Bitri, Edlira Jorgaqi dhe Denar Biba.
Në krahun e opozitës situata duket më e ndërlikuar. Nga tre anëtarë që i takojnë opozitës, sipas Kodit Zgjedhor, dy i propozon partia e parë parlamentare e opozitës dhe një partia e dytë parlamentare e opozitës.
Aktualisht KQZ-ja drejtohet nga një anëtar i propozuar nga opozita, i caktuar pas marrëveshjes Rama-Basha në vitin 2017. Konkretisht, nga Klement Zguri. Ndërsa dy anëtarët e tjerë, Hysen Osmanaj dhe Vera Shtjefni, për të cilët është hapur edhe vakanca, pritet të ketë një debat brenda opozitës.
LSI-ja ka të drejtë të kërkojë anëtarin e saj në KQZ si partia e dytë me 18 deputetë e pakicës parlamentare.
Sot, KQZ-ja ka të mandatuar vetëm 3 anëtarë nga 4 që është numri minimal për të zhvilluar mbledhjen. Me propozimin e dy anëtarëve nga PS-ja, bëhet edhe zhbllokimi institucional i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. TPZ.AL