AKTUALITET, 24 Gusht 2019, 18:24

Vrasja e Indrit Çelajt për kondicionerin, Prokuroria kërkon arrest me burg për 4 të arrestuarit

Vrasja e Indrit Çelajt për kondicionerin, Prokuroria kërkon

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar masën “arrest me burg” për katër të arrestuarit për vrasjen e 26-vjeçarit Indrit Çelaj. Prokuroria ka kërkuar masën “arrest me burg” për pronarin e vilës Bujar Kusi, 54 vjeç, Edmond Sulën, 43 vjeç, Ferdinand Bakallin 41 vjeç dhe Luan Çakën 36 vjeç.

Pronari i vilës, Kusi akuzohet për “Vrasja me dashje” në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve luftarake dhe e municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.

Ndërsa tre të tjerët akuzohen për veprat penale për “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi dyshohet të kenë qenë prezentë në momentin që është ekzekutuaar me lumb në kokë Indrit Celaj dhe nuk kanë njoftuar policinë.

Ditën e sotme Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Lorenc Veliajn, pasi ishte prezent në momentin e krimit.

Sipas Policisë, Veliaj kishte njohje me autorët dhe është ai që ka rrëfyer të gjithë ngjarjen, ku u bë i mundur dhe i katër personave të tjerë. Veliaj ka treguar se ka njohje me dy të kërkuarit, që akuzohen se janë autorët, Griseldo dhe Albano Kusi. Po ashtu 27-vjeçari ka rrëfyer se ata i kishin kërkuar që të merrte përsipër krimin e rëndë.

26-vjeçari, Indrit Çelaj, ndërroi jetë në spital, një ditë pasi u plagos pas një konflikti për kondicionerin me dy djemtë e pronarit të vilës në Tiranë, Bujar Kusin, Griseldin dhe Albanon. Djemtë e Kusit që sipas Policisë janë autorët të cilët e qëlluan Çelajn me një plumb në kokë, janë shpallur në kërkim. Griseldo dhe Albani Kusi janë emra të njohur për botën e krimit, pasi kanë precedentë të mëparshëm penal.