AKTUALITET, 24 Gusht 2019, 17:08

Çelsi vuan por triumfon në transfertë, Lampard merr fitoren e parë në Premier League

Çelsi vuan por triumfon në transfertë, Lampard merr fitoren e

Çelsi ia ka dalë të marrë tre pikët e para të kampionatit teksa ka mposhtur në transfertë me rezultatin 2-3 skuadrën e Noruiç. ‘Blutë e Londrës’ vuajtën jo pak deri në përfundim të ndeshjes teksa vendasit ia vështirësuan rrugën drejt suksesit. Sakaq, pjesa e parë rezultoi të ishte spektakolare teksa u shënuan plot katër gola. Ishin të besuarit e trajnerit Frenk Lampard ata të cilët kaluan të parët në avantazh teksa zhbllokuan shifrat shumë shpejt.

Në minutën e tretë të takimit, sulmuesi i ri Temi Abraham u tregua i saktë brenda zonës duke shfrytëzuar asistin e Azpilikuetës. Megjithatë, kanarinat barazuan vetëm pas tre minutave falë rrjetës së Kantuell. Ndërkohë, në të 17-tën londinezët morën sërish avantazhin pas golit të Mejzon Maunt. Megjithatë, sërish vendasit vendosën ekuilibrat me golin e Puki.

Me barazimin 2-2 u mbyll pjesa e parë, ndërsa në fraksioni e dytë të lojës Çelsi u hodh në sulm për të gjetur golin e epërsisë. Një gol i cili erdhi në minutën e 68, teksa Abraham veshi petkun e heroit. Deri në fund rezultati nuk ndryshoi, me Çelsin që mori triumfin e parë në këtë kampionat.