AKTUALITET, 8 Shtator 2018, 14:13

Vrasja e Alket Muhos në Tepelenë, policia nxjerr tjetër variant: U ekzekutua sepse...

Vrasja e Alket Muhos në Tepelenë, policia nxjerr tjetër variant:

Pas vrasjes së 43 vjeçarit Alket Muho në fshatin Rabije të Tepelenës, policia ka nxjerrë një variant të ri të krimit, ku pretendohet se kishte konflikt për pronat.

Dy kushërinjtë e viktimës të tashmë të arrestuar sipas policisë kanë pasur konflikt prej disa vitesh me Alket Muhon për shkaqe pronësie.

Ndërsa dje u fol se Muho ishte informator i Policisë dhe ishte vrarë për shkak të denoncimit të parcelave të kanabisit.

Por, dje, Policia ka nxjerrë një variant tjetër, atë të vrasjes për shkak të një konflikti për pronat. Të arrestuarit janë babë e bir, kushërinj të largët me viktimën dhe, sipas Policisë, kanë qenë në konflikt prej disa vitesh me viktimën për shkaqe pronësie.

Grupi hetimor deklaroi se dy familjet kanë përfunduar edhe në Gjykatë për shkak të një prone, për të cilën nuk gjenin dot një zgjidhje me njëri-tjetrin. Familja e viktimës Alket Muho jetonte në Patos të Fierit, ndërsa vetë 43-vjeçari bashkë me të shoqen dhe djalin e tyre 5 vjeç jetonin në fshatin Rabije të Tepelenës, ku merreshin kryesisht me bagëtinë.

“Strukturat për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, pas hetimeve të pandërprera të kryera, sapo kanë marrë njoftimin për ngjarjen dhe veprimeve procedurale, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Gjirokastër, ekzekutuan urdhrin e Prokurorit për ndalimin e shtetasve: Hetem Muho, 59 vjeç, banues në Sarandë, Dino Muho, 20 vjeç, banues në Sarandë”, bëri të ditur Policia. Sipas njoftimit, ndalimi i tyre (babë e bir) u bë pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ditën e enjte, rreth orës 11:35, kanë vrarë me armë zjarri shtetasin A.M., 43 vjeç, banues në fshatin Rabije, Tepelenë. Kjo ngjarje ndodhi në vendin e quajtur “Bolovec” të këtij fshati.

Në njoftimin e policisë thuhet se dy autorët (kushërinj të largët me viktimën) e kanë vrarë shtetasin Alket Muho për shkak të konflikteve të përsëritura me motive pronësie, në fshatin e origjinës së autorëve.

59-vjeçari i arrestuar ka pasur një armë çifte, të cilën e mbante me leje. Policia, në momentin e ndalimit, i ka kërkuar atij ta dorëzonte armën, por ai ka deponuar se nuk e kishte pasi i kishte humbur.

Deri tani nuk rezulton asnjë denoncim i tij për humbjen e çiftes që e kishte me leje. “Pasi janë marrë në pyetje, materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të ndaluar i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale ‘Vrasje me dashje kryer në bashkëpunim’, ‘Prodhim e mbajtje pa leje armëve luftarake e municionit’, ‘Prodhim e mbajtje pa leje armëve të gjuetisë dhe sportive’, bëri të ditur Policia.

TPZ.AL