AKTUALITET, 27 Dhjetor 2017, 09:00

Veliera e Durrësit, Frashëri: Ekspertiza ime, e padëshiruar prej qeverisë

Veliera e Durrësit, Frashëri: Ekspertiza ime, e padëshiruar prej

Prej muajit shkurt 2017 Projekti “Vela/Veliera” në Hyrje të Portit të Durrësit, është bërë nga Shoqëria Civile objekt i dy proceseve gjyqësore, njëri në Gjykatën e Shkallës së Parë ku po shqyrtohet padia për dëme të shkaktuara mbi muret mesjetare dhe zonën arkeologjike, dhe një në Gjykatën Administrative, ku shoqëria civile shpreson të zhbëjë projektin (BIRN­Durrës 4 Dhjetor 2017).

Deri tani janë zhvilluar shtatë seanca dhe procesi gjyqësor vazhdon. Seanca e ardhshme e çështjes “Veliera” që do të jetë e teta në radhë, do të zhvillohet sot më 27 dhjetor. Ndërkohë prej tre muaj më parë Gjykata Administrative ka miratuar listën e tre ekspertëve arkeologë të pavarur dhe i ka kërkuar Prokurorisë së Durrësit, që ajo të bëjë të mundur që ata të sjellin në gjykatë një ekspertizë mbi dëmet që mund të shkaktojë ndërtimi i kësaj vepre publike në substancën arkeologjike.

Midis ekspertëve ishte zgjedhur edhe arkeologu dhe restauratori i njohur Gjergj Frashëri. Mësohet se deri sot kjo ekspertizë nuk është realizuar. Mediat pohojnë se të tre arkeologët nuk kanë pranuar të merren me këtë çështje. Kështu që gjykatësi Ergys Gashi në këtë seancë ka bërë të njohur emrat e tre ekspertëve arkeologë të tjerë, të cilët deri në seancën e ardhshme më datën 27 dhjetor duhet ta kenë hartuar këtë ekspertizë për Gjykatën Administrative. Shqiptarja.com për t’u njohur më afër me këtë zhvillim ka pyetur ekspertin Gjergj Frashëri

Me sa jemi në dijeni ju zoti Frashëri jeni caktuar qysh në seancën e datës 27 shtator nga Gjykata e Durrësit si ekspert për të dhënë rezultatet tuaja mbi situatën për vlerësimin dhe mbrojtjen e vlerave arkeologjike në nëntokën e projektit “Vela”Mësohet se ju nuk e kini paraqitur ekspertizën tuaj arkeologjike në seancën gjyqësore. Donim t’ju pyesnim, pse jeni tërhequr nga ekspertiza juaj?

Frashëri: Nuk jam tërhequr aspak nga gatishmëria për t’i dhënë prokurorisë apo gjykatës ekspertizën time mbi vlerat dhe dëmet arkeologjike që ka vënë në pikëpyetje ky projekt . Gjykata e ka vendosur me inisiativën e saj emrin tim për këtë ekspertizë pa më pyetur dhe vetë ajo bashkë me prokurorinë e hoqën atë, përsëri pa më pyetur.

Më konkretisht...

Frashëri: Fillimisht me një shkresë nr. 4551 Prot. (AJ) të datës 28.09.2017 jam ftuar nga Zv./Drejtuesja e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Durrësit Zonja Anita Jella, që me datën 03.10.2017 të paraqitesha pranë saj “për marrjen e detyrave, bërjen e betimit dhe marrjen e akteve hetimore të procedimit penal, pasi isha caktuar si ekspert në kryerjen e ekspertimit teknik në fushën e arkeologjisë të projektit “Vela”. Por kur u paraqita tek zonja prokurore, ajo më komunikoi, se nuk kisha të drejtë të kryeja detyrën e ekspertit, pasi rreth objektit të çështjes „Punimet dhe vlerat arkeologjike në projektin “Vela/Veliera“ isha parashprehur para disa muajsh në shtypin e ditës.

Do të thotë kjo se ishit në konflikt interesi me çështjen?

Frashëri: Edhe sot si atëherë nuk më duket se jam në konflikt interesi me çështjen. Në të vërtetë në shtypin e ditës kam dhënë opinionin tim, në se duhej apo nuk duhej bërë një ndërtim i ri në zonën “Vela/Veliera”, gjithashtu edhe mbi dëmet që po i shkaktonin Ministria e Kulturës dhe arkeologët e Institutit Arkeologjik, pasurisë arkeologjike të Epidamit, Dyrrahut dhe Durrësit. Por dhënia e një opinioni në shtypin e ditës, nuk mund të quhet ekspertizë për gjykatën apo prokurorinë. Ky qëndrim i Prokurorisë nuk më bindi, madje mu duk disi i sajuar, sepse vetë më ftuan si ekspert dhe vetë më hoqën, pa ma kërkuar ekspertizën. Deri sot ka mbetur pa u sqaruar dhe pa përgjigje nga ana e Prokurorisë, pse gjykata më caktoi si ekspert, kur e dinin se isha në “kësi konflikt interesi”.

Ju lutem, çfarë kishit shprehur ju në shtypin e ditës, që sipas prokurorisë e pengonte kryerjen nga ana juaj të një ekspertize të tillë?

Frashëri: Me sa kuptova, ajo kishte parasysh se në muajt Shkurt­Prill të këtij viti, kisha shprehur mendimin apo opinionin tim në shtypin e përditshëm përmes disa shkrimeve, mbi ç’ka po ndodhte me gërmimet, pilotimet, betonizimet, prishjet e strukturave ndërtimore historike dhe dëmet mbi pasurinë arkeologjike të nëntokës në hapësirën përpara hyrjes së Portit në Durrës, midis Torres Veneciane dhe Pallatit “Fly”, pikërisht aty ku po ndërtohet “Vela”. Këto janë vlerësime historike dhe kritika me argumente, të botuara me emrin tim në shtypin e përditshëm të tilla si – dy shkrime në gazetën Shqiptarja.com, njëra Intervistë: “Frashëri: Veliera po e lë Durrësin antik pa portën e fortifikimit/”Kush do fitojë Vela prej Betoni e Kryetarit Hyrja e Lashtë e Dyrrah­ut?” (10 Shkurt 2017)? tjetra “Prepotencë shtetërore dhe servilizëm institucionesh kundra pasurisë arkeologjike” (17 Shkurt 2017)? një tjetër në Gazeta Sot me titull “Instituti i Ministrisë së Arsimit merr tendera për arkeologji shpëtimi nga Ministria e Kulturës” (12 Mars 2017), ff. 1/17? Tjetra në gazetën Panorama me titull “Tragjedi e Komedi arkeologjike në “Velierën” e Durrësit” (10 Prill 2017). Këto shkrime në shtypin e përditshëm nuk janë ekspertiza për një proces gjyqësor. Ato i tregojnë një prokurori apo gjykatësi vetëm vlerësimin tim, se ndërtimi i veprës “Vela/Veliera” përbën një masakër për dëmet që ky projekt po i shkaktonte pasurisë arkeologjike të botës antike dhe mesjetare në rangun kombëtar, por edhe më gjerë. Nga ky takim i parë i datës 03.10.2017 në auditoret e Prokurorisë së Durrësit u largova me përshtypjen se ekspertiza ime e propozuar nga Gjykata, rezultonte e padëshirueshme për segmentet e pushtetit, të shtetit dhe të qeverisë të angazhuar për ndërtimin e “Velierës”.