AKTUALITET, 18 Dhjetor 2017, 19:30

“Varrezat greke”, por me paratë e shqiptarëve. Ja si Rama veproi në fshehtësi

“Varrezat greke”, por me paratë e shqiptarëve. Ja si Rama

Këshilli i Ministrave ka miratuar në fshehtësi një vendim për të lejuar shtetin grek që të bëjë kërkime, zhvarrime dhe identifikimin e ushtarëve grekë të vrarë në Shqipëri, gjatë luftës greko-italiane të vitit 1940-1941.

Ky vendim ka qenë në fuqi dhe është miratuar në vitin 2011 nga ish-qeveria e Sali Berishës. Në tërësi, vendimi i miratuar më datë 13 dhjetor, nga qeveria “Rama 2”, është thuajse i njëjtë me atë të miratuar nga qeveria Berisha, përveç një pike.

Në vendimin e vitit 2011, qeveria Berisha ka përcaktuar zonën se ku do të lejohet procesi i kërkimit, zhvarrimit dhe identifikimit të ushtarëve grekë. Këto gërmime do të lejoheshin vetëm në Bashkinë Këlcyrë, në rrethin e Përmetit dhe në Komunën e Dropullit të Sipërm, në rrethin e Gjirokastrës.

“Ministria e Mbrojtjes, në bashkëpunimin me organet e qeverisjes vendore në Bashkinë Këlcyrë, rrethi Përmet dhe në komunën Dropulli i Sipërm, rrethi Gjirokastër të qarkut të Gjirokastrës, të ndjekë zhvillimin e punimeve të këtyre vendprehjeve në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në pikën dy të vendimit të miratuar në vitin 2011.

Ndërkohë, që në vendimin e ri të miratuar vetëm një javë më parë dhe që është publikuar në faqen e Kryeministrisë disa ditë më vonesë, është hequr ky përcaktim, që vendos se në cilën zonë do autorizohen kërkimet.

Në vendimin e ri theksohet se ky proces do të ndiqet nga prefekti i qarkut në bashkëpunim me bashkitë e vendit. “Prefekti i qarkut ku do të zhvillohen punimet e kërkimit, identifikimit, zhvarrimit dhe varrimit të eshtrave, në bashkëpunim me bashkitë përkatëse, të ofrojë të gjithë infrastrukturën e nevojshme për zbatimin e procesit të kërkimit, identifikimit, zhvarrim-varrimit në territoret e tyre”, thekson pika 4 e vendimit të miratuar nga qeveria “Rama 2”.

Moscaktimi i zonës se ku do të kryhen kërkimet, lë hapësira për interpretim të kësaj pike të vendimit të qeverisë, aq më shumë kur në nenin 9 të kësaj VKM-je specifikohet se, vendimi i qeverisë Berisha, i vitit 2011, shfuqizohet. Pra, me këtë shfuqizim bien poshtë dhe përcaktimet e zonës se ku do të kryheshin kërkimet, zhvarrosjet e ushtarëve grekë.

SHPENZIMET

Qeveria shqiptare ka marrë përsipër të mbulojë të gjitha shpenzimet e kërkimeve dhe zhvarrosjen e ushtarëve grekë. Madje, Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Brendshme do të merren me procesin e shpronësimit në zonat ku janë varrosur të rënët e luftës italo-greke.

Gjithashtu, Kryeministri do të miratojë në grup ekspertësh, të cilët do të bashkëpunojnë me palën greke për të bërë të mundur zbulimin dhe rivarrosjen e ushtarakëve.

“Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me bashkitë, të cilat do të jenë pjesë e procesit të kërkimit, identifikimit, zhvarrimit dhe varrimit të eshtrave, të sigurojë të gjitha lejet për procesin, të përgatitë të gjithë dokumentacionin shoqërues, si dhe të marrë të gjitha masat për të bërë të mundur fillimin dhe vazhdimin e procesit në zbatim të marrëveshjes. Ministritë dhe institucionet e tjera shtetërore, të përfaqësuara me ekspertë në Komitetin e Përbashkët në terren, të përballojnë shpenzimet për realizimin e detyrave nga këta ekspertë, sipas legjislacionit në fuqi”, thekson VKM-ja.

Po ashtu, të rënët e luftës italogreke të vitit ’40-’41 do të nderohen në ceremoni zyrtare çdo vit nga pala shqiptare dhe ajo greke më datë 28 nëntor./PANORAMA/