AKTUALITET, 31 July 2026, 18:18

Varfëria energjetike, miratohet strategjia 2026–2030 për mbështetjen e familjeve në nevojë

Qeveria ka miratuar për herë të parë Planin Kombëtar të Veprimit për adresimin e varfërisë energjetike dhe mbrojtjen e klientëve në nevojë të energjisë elektrike për periudhën 2026–2030. Dokumenti synon krijimin e një sistemi të unifikuar për identifikimin dhe mbështetjen e familjeve që nuk arrijnë të përballojnë nevojat bazë për energji.

Plani parashikon hartimin e një metodologjie kombëtare për identifikimin e varfërisë energjetike, ngritjen e një sistemi monitorimi dhe krijimin e një kuadri operacional për mbrojtjen e klientëve në nevojë. Sipas dokumentit, masat nuk do të kufizohen vetëm në kompensimin e faturave të energjisë elektrike, por do të shoqërohen me politika afatgjata që synojnë të trajtojnë shkaqet e kësaj problematike.

Ndër masat kryesore të parashikuara janë krijimi i procedurave për identifikimin dhe regjistrimin e familjeve të prekura, financimi nga buxheti i shtetit i skemave të mbështetjes për klientët në nevojë, garantimi i mbrojtjes nga ndërprerja e furnizimit me energji elektrike, si dhe sigurimi i aksesit në shërbimin universal, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Një tjetër komponent i rëndësishëm i planit lidhet me rritjen e eficiencës së energjisë. Dokumenti parashikon investime për përmirësimin e performancës energjetike të banesave dhe rinovimin e ndërtesave, me qëllim uljen e konsumit dhe kostove të energjisë për familjet në afatgjatë, duke reduktuar varësinë nga subvencionet financiare.

Sipas përkufizimit të përdorur në dokument, varfëria energjetike nënkupton pamundësinë e familjeve për të siguruar shërbime bazë të energjisë në nivele të përshtatshme dhe me një kosto të përballueshme. Përmes këtij plani, qeveria synon të ndërtojë një mekanizëm të qëndrueshëm për identifikimin, monitorimin dhe mbështetjen e kategorive më të prekura nga kjo formë e varfërisë.