TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Tregu i energjisë elektrike në vend vijon të mbetet i vogël për nga numri i pjesëmarrësve dhe transaksioneve që kryhen në të. Të dhënat e fundit që janë raportuar nga ana e Operatorit të Tregut që është departamenti përgjegjës pranë Operatorit të Sistemit të Transmetimit tregojnë se numri i subjekteve të regjistruar është 30, të paktën deri në nëntor.
“Janë regjistruar gjithsej në Tregun e Energjisë Elektrike 30 subjekte prej të cilave 25 subjekte në rolin e Tregtuesit, 20 subjekte në rolin e Furnizuesit të Kualifikuar, 13 subjekte plotësojnë kushtet për të përfituar statusin konsumator të Kualifikuar dhe 8 subjekte në rolin e prodhuesit, kemi OSHEE-në në rolin e Shpërndarjes, Furnizuesit Publik me Pakicë dhe nga tregtuesit është edhe KESH në rolin e Prodhuesit dhe tregtuesit” thuhet në raportimin e OST.
Edhe pse totali rezulton në dukje më shumë se 30 subjekte kjo lidhet me faktin se një pjesë e mirë e subjekteve janë të licencuar në më shumë se një funksion pra edhe furnizues edhe tregtues.
Në kushtet kur pjesëmarrësit e tregut mbeten ende në nivel të ulët, edhe numri i transaksioneve është relativisht i vogël duke arritur deri në nëntor në 263 të tillë.
“Janë paraqitur nga palët e tregut dhe janë administruar në regjistrin e Operatorit të Tregut gjithsej 263 kontrata të transaksioneve të energjisë elektrike (mbi 4.8 milionë MWh energji) nga të cilat : 81 kontrata janë ndërmjet furnizuesve dhe konsumatorëve të kualifikuar, (15 konsumatorë), 16 kontrata janë eksport, 72 kontrata import energji elektrike dhe 94 kontrata janë shkëmbim ndërmjet palëve të Tregut” thuhet në raportin e OST.
Situata pritet të ndryshojë në vitin 2018 me një rritje më të madhe të transaksioneve por edhe subjekteve aktivë në tregun e energjisë elektrike për shkak se nis faza e parë e liberalizmit dhe daljes në treg të lirë të 76 bizneseve të para të lidhura në tension 35 kilovolt. Më vonë liberalizmi pritet të shtrihen edhe tek bizneset e lidhura në tension 20,10,6 kilovolt por kjo nuk pritet të jetë gjatë vitit të ardhshëm./Monitor