AKTUALITET, 6 August 2026, 10:28

U arrestua në SHBA pas 30 vitesh në arrati/ Policia jep detajet: Deportohet në Shqipëri, Sokol Hoxha, i dënuar për 3 vrasje në Shqipëri dhe në Belgjikë

Mëngjesin e kësaj të enjteje është ekstraduar në Shqipëri, Sokol Hoxha i akuzuar për disa vepra të rënda penale, përfshirë vrasjen e tre personave në Shqipëri dhe Belgjikë.

Hoxha është dënuar në mungesë me 25 vite burg në Shqipëri për vrasjen e dy vëllezërve Banaj në Patos, në mars të vitit 1997. Pas ngjarjes së rëndë, ai u arratis fillimisht drejt Greqisë dhe më pas u vendos në Belgjikë.

Në Belgjikë, ai është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Brunilda Dervishit, një shqiptare të cilën, sipas hetimeve, më parë e kishte shfrytëzuar për prostitucion. Ngjarja ndodhi më 29 gusht 1997 në një lokal në Bruksel, pasi gruaja dyshohet se kishte kundërshtuar shfrytëzimin e saj. Sipas hetimeve ndërkombëtare, aktiviteti kriminal i Hoxhës në Belgjikë lidhej kryesisht me shfrytëzimin e prostitucionit.

Njoftimi i Policisë:
Deportohet në Shqipëri, një shtetas i dënuar për 3 vrasje në Shqipëri dhe në Belgjikë. Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Shërbimit të Sigurisë Diplomatike të Ambasadës Amerikane në Tiranë, Departamentit të Policisë Kriminale/Njësisë së Hetimeve të Përbashkëta, Interpol Tiranës, Interpol Uashingtonit, Interpol Mançesterit dhe Interpol Brukselit, në kuadër të operacionit të koduar “Globi”, u finalizua procedura për deportimin në Shqipëri, të shtetasit të arrestuar në Ohio, më datë 05.05.2026:

-Sokol Hoxha, 51 vjeç, lindur në Fier.

Ky shtetas, në vitin 2000, është dënuar nga Gjykata e Fierit, me 25 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja”, kryer në bashkëpunim, pasi më datë 30.03.1997, në Patos, Fier, në bashkëpunim me shtetasin D. S., ka vrarë me armë zjarri, shtetasit H. B. dhe I. B. (vëllezër), për motive të dobëta.

Gjithashtu, në vitin 2010, është dënuar nga Gjykata e Brukselit, Belgjikë, me burgim të përjetshëm, për veprën penale “Vrasja me dashje”, pasi më datë 29.08.1997, ka vrarë me armë zjarri, në Bruksel, një shtetase shqiptare, të cilën më parë e kishte shfrytëzuar për prostitucion.

Deportimi i shtetasit Sokol Hoxha, mëngjesin e sotëm, rezultat i bashkepunimit te vazhdueshem ndërkombëtar policor ndërmjet hetuesve nga Njësia Speciale Policore e Departamentit të Policisë Kriminale (e njohur si Njësia e Përbashkët e Shërbimeve Investiguese), e cila punon ngushtë me Njësitë e Hetimeve Ndërkombëtare Kriminale DSS/OCIU në Ambasadën Amerikane në Tiranë, si dhe me Marshallët Amerikanë dhe me ICE-ERO në ShBA.

Policia e Shtetit është maksimalisht e angazhuar dhe e vendosur për të qëndruar përkrah partnerëve amerikanë për hetime të përbashkëta dhe në veçanti për rastet e shtetasve në kerkim që i fshihen sistemeve të drejtesise të të dyja vendeve.