TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Mazhoranca ka votuar me 75 vota pro shembjes së Teatrit Kombëtar, për të ndërtuar një teatër të ri të shoqëruar me kulla, në një sallë bosh pa opozitën. Procedura parlamentare ishte mjaft e dyshimtë, sepse mazhoranca pranoi dekretin e Presidentit, por vijoi votimin, për një version të "arnuar" të projektligjit, ku shtohet vetëm "gara" mes subjekteve. Opozita e konteston këtë procedurë, sepse sipas saj, pranimi i dekretit të Presidentit, duhet të rrëzonte projektligjin në tërësi.
Brenda sallës së Kuvendit, parakaluan eksponentët e Rilindjes, të cilët arsyetuan përse ky projektligj duhet të kalonte dhe përse Teatri duhet shembur.
Edi Rama në Kuvend / Foto: LSA
Rekordin për argumentin më qesharak e mban sigurisht kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili tha se “arnimi” i projektligjit, nuk përbën asnjë problem meqenëse këtë gjë e ka bërë dikur edhe Partia Demokratike. Pra, sipas kreut të Kuvendit, shkelja e ligjit legjitimohet, meqenëse edhe PD e paska shkelur dikur.
“Opozita më ka dërguar një letër ku më kërkon të mos shkel Kushtetutët. Duke vlerësuar maksimalisht këtë kërkesë të opozitës, jam i detyruar të konsultohem me struktuarat e Kuvendit, Kushtetutën, ligjin. Dhe në këtë kuadër mund të kujtoj se parlamenti se ka për herë të parë, ka patur disa raste.”
Ruçi më pas lexoi një numër rastesh të ngjashme. Nevoja e mazhorancës për të kaluar me çdo mënyrë këtë projektligj që grabit pronën publike, i ka detyruar eksponentët e saj të kthehen në qesharakë.
Në të njejtën linjë ishin edhe eksponentët e tjerë të Rilindjes, si Eduard Shalsi, Ulsi Manja, Mirela Kumbaro dhe Taulant Balla, të cilët paraqitën argumentat se përse Teatri duhet shembur një orë e më parë.
Ndërsa kryeministri Edi Rama, foli për atë që e quan "degradim të godinës së Teatrit", që sipas tij nuk mund të rikonstruktohet. Rama nuk përmendi skemën me të cilën po tjetërsohet prona publike, me anë të së cilës firma e preferuar e mazhorancës, "Fusha sh.p.k", pritet të fitojë të drejtën për të ndërtuar teatrin e ri me kulla.
Aktivistët jashtë sallës së Kuvendit / Foto: LSA
Jashtë sallës së Kuvendit, aktivistët protestuan dhe kundërshtuan këtë ligj që i hap rrugë shembjes së Teatrit dhe "garës" që është paralajmëruar nga vetë kryeministri se me gjasë do të fitohet nga "Fusha sh.p.k", për të ndërtuar teatrin e ri të shoqëruar nga kullat. Zëri i tyre sigurisht nuk u dëgjua. Protesta u transmetua për pak minuta në media, por vëmendjen e madhe e mori mazhoranca.
Nga ana tjetër, opozita e cila është përbetuar se nuk do të lejojë shembjen e teatrit, nuk ishte prezente në sallë, por gjendej në Vlorë, ku u mbajtën diskutime intelektuale për kriminalitetin në vend.
Në sallë mungoi edhe ministri Pandeli Majko, i cili pak kohë më parë u konfrontua verbalisht me kryeministrin Rama, sepse refuzonte të votonte pro shembjes së Teatrit.
Tashmë pritet që fadromat të paraqiten për të shembur godinën e teatrit. Aktivistët dhe një sërë figurash publike, kanë paralajmëruar rezistencë fizike për të mos lejuar shembjen e teatrit.
/TPZ.AL/
LEXO EDHE:
http://www.tpz.al/2018/09/19/si-e-nxori-edi-rama-veten-bllof-per-shprehjen-e-interesit-per-tearin-nga-shkelqim-fusha/
http://www.tpz.al/2018/07/20/investigimi-i-birn-shfrytezimi-i-tokes-publike-te-teatrit-dhe-fitimet-e-majme-te-fusha-sh-p-k/
http://www.tpz.al/2018/07/23/skaneri-11-mashtrimet-e-medha-per-shembjen-e-teatrit-dhe-ngritjen-e-kullave/