AKTUALITET, 8 Nëntor 2018, 18:24

Thaçi në Bruksel: Arritja e marrëveshjes me Serbinë e vështirë

Thaçi në Bruksel: Arritja e marrëveshjes me Serbinë e

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se arritja e një marrëveshjeje me Serbinë do të jetë shumë e vështirë, por sipas tij do të bëhen përpjekje që në fund procesi të përmbyllet me një marrëveshje që do tu hapë perspektivën të dy vendeve për integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Këto komente, Thaçi i bëri në Bruksel, në prag të takimit të radhës me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Thaçi tha se po qëndron në Bruksel që të diskutojë mundësinë e arritjes së një marrëveshje me Serbinë. Sipas tij, arritja e marrëveshjes nuk është e lehtë, por do të bëhen përpjekje maksimale që të përafrohen qëndrimet për të arritur deri te një marrëveshje dy-palëshe me lehtësimin e Bashkimit Evropian.

“Synimi i Kosovës është që të ndërtojë fqinjësi marrëdhënie të mira me të gjitha vendet, në këtë drejtim edhe me Serbinë në mënyrë që të ecim përpara drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe të hapim perspektiven globale për shtetin e Kosovës”- tha ai, raporton REL.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini ka ftuar në Bruksel presidentin e Kosovës, Hashim thaçi dhe atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për të vazhduar me procesin e dialogut, i cili si synim ka normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.