TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Garda Revolucionare e Iranit deklaroi se ka goditur një anije të madhe transportuese të gazit të lëngshëm të naftës (LPG), e cila po përpiqej të kalonte nëpër një rrugë që Teherani e cilëson të paligjshme në Ngushticën e Hormuzit.
Sipas deklaratës së Gardës Revolucionare, të publikuar nga agjencia zyrtare iraniane e lajmeve IRNA, anija “NV Sunshine”, në pronësi të kompanisë “NatWit”, u godit teksa po përpiqej të kalonte në jug të ngushticës.
Sipas raportimeve, goditja shkaktoi zjarr në dhomën e motorit dhe në sistemin e shtytjes së anijes. Megjithatë, deri tani nuk janë bërë të ditura detaje të plota mbi shkallën e dëmeve apo gjendjen e ekuipazhit.
Forcat iraniane pretendojnë se kanë marrë nën kontroll administrimin e Ngushticës së Hormuzit dhe se goditja e anijes u krye në kuadër të këtij operacioni.
Ngushtica e Hormuzit është një korridor strategjik për transportin ndërkombëtar të naftës dhe gazit. Zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme kanë rritur shqetësimet për sigurinë e lundrimit dhe furnizimet globale me energji.
Ndërkohë, UKMTO, organizata britanike që monitoron sigurinë e lundrimit detar, ka raportuar një incident me një anije pranë Emirateve të Bashkuara Arabe. Megjithatë, nuk është konfirmuar nëse bëhet fjalë për të njëjtën anije të përmendur në deklaratën iraniane.