BOTA, 8 October 2026, 16:39

Fushatë mes incidentesh/ Trump pengohet në Texas: Financohen nga armiqtë e Amerikës

Fushatë mes incidentesh/ Trump pengohet në Texas: Financohen nga

Fushata për zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara ka hyrë në javët e fundit, me republikanët dhe demokratët që po përballen në një seri garash të rëndësishme. Presidenti Donald Trump u shfaq në një miting në San Antonio, Teksas, në mbështetje të kandidatit republikan për Senat, Ken Paxton.

tubimi u shoqërua me protesta të shumta. Disa demonstrues ndërprenë fjalimin e Trumpit dhe u shoqëruan jashtë sallës nga policia, ndërsa një prej protestuesve u përfshi edhe në një përplasje fizike me një mbështetës të presidentit.

Trump iu përgjigj protestave duke u kërkuar demonstruesve të largoheshin dhe i akuzoi ata se financoheshin nga kundërshtarë të Shteteve të Bashkuara.

Në qendër të vizitës ishte gara për Senatin në Teksas. Ken Paxton përballet me demokratin James Talarico, në një garë që është bërë më konkurruese se sa pritej.

Një humbje republikane në Teksas do të ishte veçanërisht e rëndësishme për demokratët, pasi shteti është konsideruar prej dekadash një bastion i republikanëve. Rezultati mund të ndikojë edhe në përpjekjet e Partisë Republikane për të ruajtur shumicën në Senat.

Trump është rikthyer disa herë në Teksas për të mobilizuar mbështetësit në favor të Paxtonit.

Fokusi i presidentit në Teksas është pjesë e një fushate më të gjerë në shtetet tradicionalisht republikane, ku kandidatët e tij po përballen me gara më të vështira. Në javët e fundit, Trump ka zhvilluar mitingje edhe në Oklahoma, Alabama, Ohio dhe Nebraska, ndërsa zëvendëspresidenti JD Vance ka bërë fushatë në Alaska.

Me afrimin e zgjedhjeve të mesmandatit, Teksasi po shihet gjithnjë e më shumë si një nga betejat e rëndësishme për kontrollin e Senatit, ndërsa përplasjet politike dhe protestat po i japin fushatës një ton gjithnjë e më të fortë.