AKTUALITET, 4 Korrik 2018, 11:27

Teatri/ Opozita kërkoi seancë dëgjimore, Veliaj refuzon. Ja përgjigja

Në një kohë kur opozita paraqiti në Komisionin e Kulturës dhe Medias një kërkesë për të thirrur sot në dëgjesë publike kryetarin e Bashkisë së Tiranës për të dhënë llogari për Teatrin Kombëtar, Erion Veliaj ka refuzuar.

Gazetarja Elda Menga ka siguruar për ‘BalkanWeb’ shkresën ku Veliaj kthen përgjigje, duke refuzuar kështu që të flasë në Komision për projektligjin, i cili pritet të kalojë nesër në Kuvend për miratim. Në shkresën për mospjesëmarrje Veliaj thekson se tashmë sqarimet për këtë çështje janë dhënë. Kujtojmë se pak ditë më parë vet Veliaj deklaroi se ishte arritur një marrëveshje mes Bashkisë dhe një grupi artistësh për prishjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e një godine të re.

Sakaq, opozita ka paralajmëruar se nuk do të votojë pro kalimit të projektligjit nesër, pasi e cilësojnë shkelje të ligjit.

KERKESA E PD PAK DITE ME PARE

Deputetët e opozitës thërresin në dëgjesë kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj për ligjin e posaçëm që shemb Teatrin Kombëtar dhe i jep falas privatit tërritorin e Teatrit Kombëtar dhe prona të tjera shtetërore për të ndërtuar kulla.

Kërkesa për dëgjesën është firmosur nga deputetët e opozitës në Komisionin e Kulturës, të cilët e kanë thirrur Kryetarin e Bashkisë, Erion Veliaj, duke shprehur shqetësimin se ligji I propozuar, ku ai ka rolin e Negociatorit, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe disa ligje të tjera.

Në çështjet e rendit të ditës, deputetët e opozitës kanë përfshirë për diskutim edhe mënyrën sesi do të zhvillohet territori përreth Teatrit Kombëtar. Dëgjesa e thirrur nga opozita që, në zbatim të Rregullores, përbën më shumë se 1/3-ën e komisionit, është kërkuar pas një jave, të mërkurën, në 4 Korrik.