AKTUALITET, 4 Korrik 2018, 08:57

Kush është ambasadorja e re e SHBA, Trump sjell në Shqipëri diplomaten me karrierë 30-vjeçare

Kathleen Ann Kavalec është propozuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, si ambasadorja e re e Amerikës në Shqipëri.

Presidenti i SHBA-ve njoftoi dje se Kathleen Ann Kavalec është zëvendësuesja e kryediplomatit të SHBA-ve në detyrë, Donald Lu.

Kryediplomatja e re e SHBA-ve në Tiranë, e cila do të kalojë më parë në Senatin Amerikan, aktualisht mban postin e zëvendësndihmësesekretares në Zyrën e Çështjeve Europiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit. Këtë post, diplomatja e mban që prej vitit 2015. Kathleen Ann Kavalec në karrierën e saj ka më shumë se tri dekada përvojë si diplomate.

MISIONET

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar dje dhe kurrikulumin e zonjës Kavalec. Në CV-në e saj, ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e propozuar në Tiranë, ka shërbyer si drejtoreshë e Zyrës së Çështjeve të Rusisë.

“Para kësaj, ka qenë zëvendësshefe e Misionit dhe zëvendësdelegate e përhershme në Misionin e SHBA-ve në UNESCO, në Paris (2010-2013). Në periudhën 2009-2010, zonja Kavalec ishte zëvendëskoordinatore për Asistencën e SHBA-ve për Europën, Euroazinë dhe Azinë Qendrore”, thuhet në CV-në e saj.Diplomatja Kavalec, në karrierën e saj ka mbajtur dhe postin e drejtoreshës së Parandalimit të Konflikteve në Zyrën e Koordinimit për Rindërtim dhe Stabilizim.

“Ajo ka shërbyer më 2008-2009 edhe si drejtore e Parandalimit të Konflikteve në Zyrën e Koordinimit për Rindërtim e Stabilizim. Detyrat jashtë vendit kanë përfshirë edhe ture në Ukrainë, Rusi, Rumani e Brazil.Znj. Kavalec mban një “A.B” në Shkencat Politike nga Universiteti i Kalifornisë në Berkeley dhe një “M.S.F.S” në Shërbimin e Jashtëm nga Universiteti Georgetown. Gjuhët e huaja që flet janë: rusishtja, frëngjishtja, spanjishtja, portugalishtja, rumanishtja dhe gjuha ukrainase”, thuhet në CVnë e Kavalec.

MANDATI

Ambasadorit në detyrë, Donald Lu, i ka përfunduar mandati që në muajin janar të këtij viti. Por, në një prononcim për mediat në muajin tetor të vitit 2017, Lu është shprehur se do të kërkonte zgjatjen e mandatit deri në verë, pasi kishte ende shumë punë për të bërë me Reformën në Drejtësi.

“Ka qenë një nder i madh për mua dhe familjen time që kemi qenë këtu në Shqipëri në këto dy vite e gjysmë. E kemi shijuar aq shumë mikpritjen shqiptare, sa kam kërkuar të qëndroj edhe më gjatë në këtë vend të bukur. Kam në plan të largohem nga Shqipëria në verën e vitit 2018. Deri atëherë, kemi shumë më tepër për të bërë së bashku”, tha Lu.

PANORAMA