AKTUALITET, 3 Korrik 2018, 23:00

“Ruleta e penalltive”, Anglia vazhdon rrugën... drejt finales

Anglia triumfoi 4-3 ndaj Kolumbisë në “ruletën e penalltive”, pasi koha e rregullt dhe shtesat përfunduan 1-1 në  “Spartak Stadium” të Moskës dhe siguruar një biletë për në çerekfinalet e Kupës së Botës.

Një penallti e fituar dhe e realizuar nga kapiteni Herri Kejn (57’), i dha avantazhin Anglisë. Për sulmuesin e Totenhemit ky ishte goli i tij i gjashtë në “Rusi 2018”, duke qenë ai në krye të “topçinjve” dhe qenë kandidatura më e fortë për fitimin e “Këpucës së Artë”.

Por, kur dukej se Anglia do ta mbyllte ndeshjen brenda kohës së rregullt, në të 90’+3, një predhë nga rreth 30 metra e Uribes detyron Pikfordin të fluturojë në trekendësh dhe ta dërgojë topin në goditje këndi.

Pas ekzekutimit, Jeri Mina kërceu fuqishëm me kokë, Meguajër u përpoq ta largonte, por topi përfundoi në rrjetë. Barazim i pabesueshëm 1-1 dhe ndeshja shkon në shtesat 2 herë nga 15 minuta, të cilat nuk prodhuan golin e dëshiruar.

Një lojë force midis “Tre Luanëve” dhe amerikanojugorëve, ku u dhanë shtatë kartonë të verdhë - pesë për kolumbianët -  të cilët luajtën pa lojtarin e tyre kryesor, Hames Rodriguezin, të dëmtuar.

Nga gjuajtjet e penalltive, Anglia fitoi 4-3. Pikford priti një penallti (gjuajti Baka), ndërsa një tjetër e kolumbianëve përfundoi në shtyllë (ajo e Uribes). Për Anglinë gaboi Henderson, ndërsa realizuan: Kejn, Rashford, Tripier dhe Dajër.

Kompletohen kështu katër çiftet çerekfinaliste të Botërorit.

1)Francë-Uruguai

2)Kroaci-Rusi

3)Brazil-Belgjikë

4)Suedi-Angli

/TPZ.AL/