AKTUALITET, 24 Janar 2019, 09:31

Takimi i parë Putin-Erdogan për 2019, çfarë vendosën dy liderët

Takimi i parë Putin-Erdogan për 2019, çfarë vendosën

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, i cili po qëndron për një vizitë pune njëditore në Moskë, ka zhvilluar një takim me homologun e tij rus, Vladimir Putin, në Pallatin e Kremlinit në Moskë.

Pas takimit, në një konferencë të përbashkët për media presidenti Erdoğan ka theksuar se ka nevojë për një përpjekje të përbashkët kundrejt organizatave terroriste që synojnë të minojnë bashkëpunimin turko-rus, raporton Anadolu Agency.

“Është e një rëndësie kritike të mos krijohet boshllëk që mund të keqpërdoret nga organizatat terroriste gjatë tërheqjes së SHBA-së nga Siria”, deklaroi presidenti Erdoğan.

Më tej, ai tha se lufta e tyre kundër organizatave terroriste në Idlib të Sirisë do të vazhdojë në mënyrë të përbashkët.

“Në lidhje me zonën e sigurisë, vazhdojnë bisedimet e ministrave përkatës me në krye liderët. Në lidhje me këtë, për ne është e rëndësishme ndjeshmëria e rajoneve që përbëjnë kërcënim”, deklaroi Erdoğan.

Ndërsa Putin ka theksuar se “janë duke punuar” mbi një zgjidhe të përhershme të çështjes së Sirisë, duke u shprehur se, “Duam që problemin ta zgjidhim përmes mjeteve politike dhe diplomatike”.

Sipas tij, nëse SHBA-të realizojnë planin për tërheqjen e forcave amerikane nga Siria, do të ishte “një hap pozitiv”.

Putin po ashtu foli edhe për takimin trepalësh, i cili i referohet zgjidhjes së çështjes së Sirisë, duke theksuar se, “Takimin trepalësh i liderëve Turqi-Rusi-Iran synojmë ta zhvillojmë në Moskë”.

Lidhur me zonën e sigurisë në Siri, Putin ka theksuar se “respektojnë interesat e miqve tanë turq, veçanërisht në garantimin e sigurisë”.

“Jemi të një mendimi me Turqinë për t’i luftuar së bashku të gjitha organizatat terroriste”, deklaroi Putin.

NË VITIN 2018 BISEDUAN 25 HERË

Sipas të dhënave të AA-së, në vitin 2018 Erdoğan dhe Putin 25 herë kanë biseduar për temat aktuale, në mesin e të cilave edhe për situatën në Siri. Që prej atëherë, shtatë herë janë takuar kokë më kokë, ndërsa 18 herë kanë biseduar me telefon.

Të dy liderët kanë pasur rastin të bisedojnë edhe gjatë ceremonisë së shënimit të 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore të organizuar në Paris.

Në vitin 2018, Erdoğan dhe Putin gjashtë herë u takuan në samite. Për herë të parë në samitin trilateral më 4 prill të vitit 2018 në Ankara, më pas më 7 shtator në samitin trilateral në Teheran, më 26 korrik në samitin Brazil-Rusi-Indi-Kinë-Afrika e Jugut (BRICS) në Johannesburg, më 17 shtator në samitin në Soçi, më 27 tetor në samitin Turqi-Rusi-Francë-Gjermani në Stamboll dhe më 1 dhjetor në samitin e liderëve të G20-tës në Argjentinë.

BLERJA E SISTEMIT MBROJTËS S-400

Të dy liderët në vitin 2018 biseduan për energjetikën, ndërsa më 3 prill vendosën themelet e centralit bërthamor Akkuy në Mersin, që është projekti i parë turk i këtij lloji. Erdoğan dhe Putin në ceremoni morën pjesë përmes video-konferencës.

Vitin e kaluar është realizuar përparim i konsiderueshëm lidhur me blerjen e sistemit mbrojtës S-400, që është një nga llojet më të rëndësishme të bashkëpunimit të Turqisë dhe Rusisë gjatë kohëve të fundit.

Vendimi i Turqisë për të blerë dy sisteme të mbrojtjes S-400 nga Rusia me vlerë 2.5 miliardë dollarë, rezultoi me nënshkrimin e marrëveshjes më 29 dhjetor të vitit 2017.

Kjo çoi në një kundërshtim të fortë nga SHBA-të duke kërkuar të heqin dorë nga blerja.

Më 3 prill të vitit 2018, gjatë vizitës së presidentit rus në Turqi, ai tha se në takimin me presidentin turk është marrë vendim për shkurtimin e afatit për dërgesën e sistemit S-400.

Takimi i dy presidentëve do të vazhdojë edhe pas takimit të sotëm në Moskë. Në periudhën e ardhshme do të mbahet një takim i ri trepalësh Turqi-Rusi-Iran, në të cilin do të marrin pjesë presidentët e dy vendeve.

Përveç kësaj, kryediplomati turk, Mevlüt Çavuşoğlu dhe homologu i tij rus, Sergey Lavrov, dje folën në telefon, por detajet e bisedës nuk u shpalosën.