AKTUALITET, 26 Shkurt 2018, 14:02

Sulmi i Berishës për Meçollarin, reagon Ministria e Mbrojtjes: E vërteta është krejt ndryshe

Sulmi i Berishës për Meçollarin, reagon Ministria e Mbrojtjes:

Ministra e Mbrojtjes ka reaguar sot pas akuzave të ish-kryeministrit Berisha se në grupin negociator të paktit me Greqinë është edhe Artur Meçollari, i shkarkuar nga detyra për spiunazh në vitin 2012.

Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se Meçollari është larguar nga ministria me firmë të ministrit të asaj kohe, Arben Imami për shkaqe procedurale.

Firma e Imamit daton në 4 tetor 2012. Ndërkohë, mësohet se Meçollari e ka dërguar çështjen në Gjykatë dhe Shkalla e Parë ka vendosur në vitin 2013 kthimin e tij në punë.

Sipas ministrisë së Mbrojtjes në fund të 2016 deri në 2017, Meçollari ka mbajtur një pozicion edhe në misionet paqeruajtëse të NATO-s, ndërkohë që prej vitit 2010 është i pajisur me certifikatë sigurie.

“Në asnjë moment ai nuk e ka humbur certifikatën e sigurisë dhe nëse do të kishte dyshime për çështje spiunazhi, nuk do të ishte përfshirë në misionet e NATO-s. Për këtë qëllim akuzat ndaj tij janë trillim dhe të pavërteta”, tha një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes.