Delimitimi i hapësirës detare mes Shqipërisë dhe Greqisë, është kthyer në një çështje mjaft të nxehtë në vendin tonë. Duke qenë se kjo është përpjekja e dytë për një marrëveshje, vlen të kthehemi pas edhe tek marrëveshja e parë, për të kuptuar pozicionin e palëve por edhe kushtet apo trysninë nën të cilën zyrtarët shqiptarë shpesh detyrohen të negociojnë. Pikërisht, gjatë negociatave në vitin 2008 dhe 2009, duket se zyrtarët shqiptarë kanë qenë nën presionin dhe ultimatumin e grekëve.
Sipas një kabllogrami të ambasadës amerikane, të publikuar nga Wikileaks, negociatorët shqiptarë, janë ankuar tek ambasada amerikane, se grekët po përdorin “standart të dyfishtë” dhe po japin ultimatum për ndarjen e detit.
Një prej anëtareve të grupit negociator, Ledia Hysi, ish drejtoreshë në Departamentin e Çështjeve Ligjore dhe Traktateve në Ministrinë e Jashtme, e ka bërë këtë pohim tek ambasada amerikane.
Pjesë nga kabllogrami:
Sipas Ledia Hysit, Drejtoreshës së Departamentit për Çështjet ligjore dhe Traktatet, në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Qeveria Shqiptare dhe Greke, kanë negociuar për disa muaj, për të ndarë kufirin detar.
Negociatat kanë hasur disa probleme, prej asaj që ajo [Hysi], e quajti “standarti i dyfishtë” i palës greke, e cila ka përdorur metoda të ndryshme të ndarjes, për zona të ndryshme të bregdetit, ndërkohë që Shqipëria, përdor një sistem standart të ndarjes, në përputhje me konventat ndërkombëtare.
Me fjalët të tjera, shqiptarët i akuzojnë grekët, për selektimin e kufijve më të favorshëm, duke përdorur metoda të ndryshme të ndarjes, për pika të ndryshme të kufirit.
Gjatë njërës prej mbledhjeve, në Tiranë, zyrtari grek qe kryesonte delegacionin, i dha një ultimatum kolegut të tij shqiptar. Qeveria greke, do të ishte e gatshme të bënte kompromis për kufirin detar afër Korfuzit (me gjasë për shkak të interest të Amerikës, për të ndërtuar një bazë ushtarake amerikane në Jalë, në Jug të Shqipërisë). Gjithsesi, zyrtari grek, e paralajmëroi delegacionin shqiptar, të dakordësohej me kërkesat e tjera dhe të mbante “fuqite e largëta”, më së shumti SHBA-në, larg negociatave. Një frazë identike, u përdor në një mbledhje në Tiranë, mes ambasadorit grek dhe ministrit të jashtëm, Basha.
Ky kabllogram dëshmon trysninë nën të cilën janë gjendur zyrtarët dhe negociatorët e palës shqiptare, për të konkluduar në një marrëveshje, edhe pse ata ishin të bindur se grekët po përdornin “standarte të dyfishta”, që e vendosnin Shqipërinë në pozicion në pafavorshëm.
Kabllogrami dëshmon gjithashtu, se pala greke ka qenë e gatshmë të bëjë kompromis për kufirin detar afër Korfuzit, por ka dhënë ultimatum për pjesën tjetër të kufirit.
Gjithashtu, pala greke duket se ka qenë shumë e interesuar që amerikanët, të mos përfshihen në këtë proces dhe të mbahen larg, kërkesë kjo që duket se ja kanë paraqitur edhe ish ministrit të jashtëm, Lulzim Basha.

Kabllogrami vazhdon edhe me detaje të presionit që i është bërë palës shqiptare, në lidhje me varrezat greke, dhe kërcënimin për të mos ratifikuar marrëveshjen e Asocim-Stabilizmit, nëse këto çështje nuk zgjidheshin. Ja cila është përmbledhja e kabllogramit amerikan, lidhur me të dyja çështjet.
"Qeveria Greke, po i bën presion qeverisë së Shqipërisë (GOA), të pranojë kushtet e saj gjatë negociatave dypalëshe, për demarkimin e kufirit detar mes dy vendeve. Athina gjithashtu, po kërcënon se do të refuzojë të ratifikojë, marrëveshjen e Stabilizimi-asocimit të Shqipërisë me BE-në, për shkak të një çështje të diskutueshme që përfshin, varrezat e ushtarëve grek në Shqipëri, të cilën qeveria shqiptare e sheh si një përsëritje të shantazhit që i është bërë Maqedonisë, lidhur me anëtarësimin në NATO."

/TPZ.AL/