TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Mbështetja ndaj partive populiste në Europë, është trefishuar në 20 vitet e fundit, duke siguruar vota të mjaftueshme për të katapultuar liderët e tyre në poste qeveritare, në 11 shtete dhe duke sfiduar establishmentin politik, në mbarë kontinentin.
Rritja e mbështetjes ndaj partive populiste në Europë, sidomos atyre të djathta, dëshmohet nga një analizë e "The Guardian" në bashkëpunim me 30 politologë të rëndësishëm.
Të dhënat tregojnë se populizmi ka nisur të rritet që prej vitit 1998. Dy dekada më parë, partitë populiste nuk ishin forca të rëndësishme dhe përfaqësonin vetëm 7% të votave në të gjithë kontinentin, por në zgjedhjet e fundit në vende të ndryshme, një në katër vota, shkoi për partitë populiste.
"Jo shumë kohë më parë, populizmi ishte një fenomen periferik", u shpreh Mathijs Roodujin, një politolog dhe sociolog në Universitetin e Amsterdamit, i cili është gjithashtu drejtori i projektit.
"Sot, populizmi është bërë mjaft i përhapur: disa nga ngjarjet politike më të rëndësishme si Brexit, apo zgjedhja e Donald Trump, si President i SHBA-së, nuk mund të kuptohen nëse nuk marrim parasysh rritjen e populizmit".
Mbështetësit e populzimit, thonë se kjo "rrymë", vendos qytetarin të parin, përkundrejt interesave të tjera dhe për pasojë është një forcë e rëndësishme në çdo demokraci. Por, kritikët mendojnë se populistët në pushtet, shpesh shkatërrojnë normat demokratike, duke nënvlerësuar median dhe gjyqësorin ose duke shkelur të drejtat e minoriteteve.
Ky studim publikohet gjashtë muaj përpara zgjedhjeve në Parlamentin Europian, ku parashikohet se populistët e djathtë, do të fitojnë më shumë vende se kurrë më parë.
Studimi tregon se si ka triumfuar populistët e djathtë si Viktor Orban i Hungarisë apo Matteo Salvini i Italisë, të cilët suksesin më të madh e kanë arritur vitet e fundit.
Europa nuk është kontinenti i vetëm, ku populistët po korrin fitore të shumta. Populistët janë zgjedhur në poste ekzekutive, në 5 nga 7 vendet më të mëdha demokratike në botë: Indi, SHBA, Brazil, Meksikë dhe Filipine.
Claudia Alvares, një profesore në Universitetin Lusofona në Lisbonë, shprehet se: " Suksesi i këtyre politikanëve, lidhet me aftësinë e tyre për të bindur audiencat e tyre, se nuk i përkasin sistemit tradicional politik. Si të tillë, ata paraqiten si të ngjashëm me njerëzit të cilët nuk i përkasin elitave "të korruptuara".
Zemërimi që politikanët populistë arrijnë të kanalizojnë tek dëgjuesit, ushqehet nga rrjetet sociale, sepse rrjetet sociale kanë aftësinë e transmetimit të emocioneve. Rezultati final është polarizimi i diskursit politik dhe gazetaresk".
Në vitin 1998, 12.5 milionë europianë jetonin në një vend me të paktën një populist në kabinetin qeveritar. Në vitin 2018, kjo shifër është dhjetëfishuar, duke shkuar në 170.2 milionë europianë.
"Në të ardhmen e afërt, partitë populiste pritet të qëndrojnë në shifra të ngjashme, megjithëse është e qartë se ato do të jenë radikalisht të djathta. Pyetja kryesore është, se si do të përgjigjen partit jo populiste", shprehet politologu Cas Mudde.
Burimi: The Guardian
Përgatiti: TPZ.AL