AKTUALITET, 20 Nëntor 2018, 16:13

Leli "mund" Subashin dhe Ademin, 60 mln lekë për dekorin e qytetit: Atmosfera afron njerëzit!

Krerët e bashkive janë vënë në radhë se kush do e zbukurojë më bukur qytetin.

Tpz.al ka bërë një vëzhgim në Agjensinë e Prokurimit Publik, duke siguruar tenderët e tre bashkive, të përafërta nga numri i popullësisë; Vlora, Fieri dhe Shkodra. Siç pritej, kryebashkiaku që i kushton më shumë rëndësi fasadës, është Dritan Leli i Vlorës.

Ky i fundit, edhe më parë, ka bërë blerje jashtë logjikës së tregut, ku për një pasqyrë të vendosur në bashki, ka shpenzuar plot 2 milionë lekë. Gjithashtu Leli mbahet mend për  tenderët për koncertin e verës, ku shpenzoi mbi 50 milionë lekë dhe për stolat inteligjentë të vendosur në Lungomare, të cilat sipas KLSH, i shkaktonin shtetit një dëm prej 150 milionë lek të vjetra.

Sipas dokumenteve që disponon Tpz.al, rezulton se Bashka e Vlorës ka hapur procedurën "realizimi i dekorit në Bashkinë Vlorë me rastin e festave të fundvitit 2018”. Fondi për këtë tender është 47.864.500 lekë të vjetra, që me TVSH shkon në rreth 60 milionë lek të vjetra.

Ndërkohë, edhe Bashkia e Fierit ka hapur tenderin "blerje materiale dekori për festat e fundvitit 2018”, me një fond limit prej 32 milionë lekësh. Pra, Subashi i Bashkisë së Fierit e ka bërë këtë shërbim për më pak para sesa Leli. Tpz.al ka siguruar edhe dokumentet e të njëjtit tender të bërë nga Voltana Ademi e Bashkisë Shkodër, e cila ka hapur tenderin për  "blerje aksesore dekori për festa", me një fond prej 1.287.000 lekësh. Pra, disa herë më pak se Vlora dheFieri.

Sipas dokumenteve, Leli thotë se "ky projekt paraqet krijimin e një atmosfere festive me zbukurime të veçanta dhe impresionuese duke i dhënë qytetit një pamje tërheqëse dhe të gëzueshme". Sipas tij, "atmosfera i sjell njerëzit më pranë njërit –tjetrin dhe transmeton shpirtin e festës".

/TPZ.AL/