AKTUALITET, 3 Prill 2022, 17:45

Xhaçka: Të tmerruar nga provat mizore të ushtrisë ruse në Ukrainë! Këto krime duhet të hetohen

Xhaçka: Të tmerruar nga provat mizore të ushtrisë ruse

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka reaguar në lidhje me sulmet e fundit vdekjeprurëse ruse në Ukrainë. Me anë të një postimi në Facebook, ministrja thotë se imazhet e civilëve të vdekur, burra, gra dhe fëmijë, të hedhur në rrugët e qyteteve të çliruara të Ukrainës janë padia më e qartë e natyrës së vërtetë kriminale të regjimit rus. 

“Të tmerruar nga provat mizore të ushtrisë ruse në Ukrainë. Imazhet e civilëve të vdekur, burra, gra dhe fëmijë, të hedhur në rrugët e qyteteve të çliruara të Ukrainës , historitë e dokumentuara të përdhunimeve dhe shkatërrimeve tronditëse të qyteteve të tëra, janë padia më e qartë e natyrës së vërtetë kriminale të regjimit rus”, shkruan Xhaçka.

Ajo bën apel që bota të veprojë, ndërsa shprehet se Shqipëria do të punojë me aleatët dhe partnerët e saj në mënyrë që këto krime të evidentohen dhe hetohen siç duhet.

“Bota duhet të veprojë! Si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së  dhe Grupit të Miqësisë për Përgjegjshmërinë në Ukrainë, Shqipëria do të punojë me aleatët dhe partnerët e saj  në mënyrë që këto krime të evidentohen dhe hetohen siç duhet”.